Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur një masë administrative prej më shumë se 35 milionë lekësh ndaj kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, pas evidentimit të disa shkeljeve që lidhen me përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas vendimit, një nga problematikat kryesore të konstatuara ka qenë publikimi i fotografive dhe videove të individëve pa marrë më parë pëlqimin e tyre, veprim që konsiderohet në kundërshtim me kërkesat ligjore për trajtimin e të dhënave personale.
Gjatë verifikimeve, autoriteti mbikëqyrës ka identifikuar edhe mangësi të tjera, përfshirë mungesën e dokumentacionit të nevojshëm për proceset e përpunimit të të dhënave, masa të pamjaftueshme sigurie për mbrojtjen e informacionit, si dhe probleme në marrëdhëniet kontraktuale me një subjekt të tretë të angazhuar në përpunimin e të dhënave.
Vendimi parashikon një gjobë prej 24 milionë lekësh për shkeljet që lidhen me publikimin e të dhënave pa pëlqim dhe mosrespektimin e parimeve bazë të ligjshmërisë, ndërsa një tjetër masë prej 11.11 milionë lekësh është vendosur për mangësitë në dokumentim, siguri dhe menaxhimin e përpunuesve të jashtëm.
Përveç penalitetit financiar, “Agi Kons” është urdhëruar të ndërmarrë një sërë masash korrigjuese. Mes tyre përfshihen sigurimi i pëlqimit të personave për publikimin e materialeve që përmbajnë të dhëna personale, rishikimi i marrëveshjeve me subjektet e treta, forcimi i mekanizmave të sigurisë dhe përmbushja e detyrimeve të raportimit pranë Komisionerit.
Kompania administrohet nga Alban Çinari, ndërsa si pronar përfitues figuron biznesmeni Gentian Sula përmes strukturës “UK Development Holding Limited”.
Ndërkohë, emri i kompanisë është përmendur edhe në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila ka kërkuar dokumentacion që lidhet me aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit për periudhën 2015–2024. Sipas raportimeve publike, hetimet janë fokusuar në verifikimin e kontratave, lejeve të ndërtimit dhe projekteve të ndryshme të zhvilluara në Tiranë dhe zonën e Qerretit.