Tërmeti më i fuqishëm në mbi një shekull godet Venezuelën, të paktën 32 viktima dhe qindra të plagosur

Venezuela është goditur nga tërmeti më i fuqishëm në më shumë se një shekull, pasi dy lëkundje të forta sizmike goditën bregdetin verior të vendit brenda pak më shumë se një minute.

Sipas autoriteteve, të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur, ndërsa bilanci i viktimave pritet të rritet pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura.

Tërmeti i dytë, me magnitudë 7.5 ballë, goditi rreth 23 kilometra në juglindje të qytetit Yumare, në shtetin Yaracuy, një zonë ku ndodhen disa nga rafineritë më të mëdha të naftës në vend. Lëkundjet u ndjenë në shumë rajone të Venezuelës, si dhe në Kolumbinë fqinje.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë banorë të tmerruar që braktisin ndërtesat së bashku me familjarët dhe kafshët shtëpiake.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, e cila mori drejtimin e vendit pas arrestimit të presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane më herët gjatë këtij viti, deklaroi se shteti bregdetar La Guaira është zona më e goditur dhe tashmë është shpallur zonë katastrofe.

“Jemi të angazhuar në operacione të vështira shpëtimi për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur. Kjo është një tragjedi e vërtetë”, tha Rodriguez në një mesazh video.

Dhjetëra ndërtesa janë shembur në pjesë të ndryshme të vendit. Në qytetin bregdetar Macuto, një hotel i madh pranë detit është reduktuar në rrënoja, ndërsa në Catia La Mar disa ndërtesa janë shembur plotësisht dhe shumë pallate kanë pësuar dëmtime të rënda.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) lëshoi dy alarme të kuqe për tërmetet, duke paralajmëruar për “viktima të shumta dhe dëme të gjera”. Sipas ekspertëve, shumë banesa në zonën e prekur nuk janë ndërtuar për t’i rezistuar lëkundjeve të forta sizmike.

Ndërkohë, lidhjet e internetit dhe komunikimet elektronike kanë pësuar ndërprerje të konsiderueshme pas dëmtimit të rrjeteve energjetike dhe telekomunikuese.

Autoritetet venezueliane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë krijuar një grup të posaçëm për koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Aeroporti Simon Bolivar pranë Karakasit është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmtimeve të pësuara, ndërsa mësimi në të gjithë vendin është pezulluar për një javë. Po ashtu janë ndërprerë përkohësisht shërbimet hekurudhore dhe aktivitetet jo thelbësore.

Forcat e sigurisë janë dislokuar në të gjithë vendin, ndërsa furnizimi me gaz është ndërprerë në disa ndërtesa si masë parandaluese deri në përfundimin e inspektimeve teknike.

Në ndihmë të Venezuelës pritet të mbërrijnë ekipe shpëtimi nga Shtetet e Bashkuara, Republika Domenikane, El Salvadori, Meksika dhe Katari. Ndërkohë, vende të tjera, përfshirë Kinën, Brazilin dhe disa shtete të Karaibeve, kanë ofruar ndihmë humanitare për përballimin e pasojave të katastrofës.