Partia Demokratike Evropiane (PDE) ka komentuar sërish zhvillimet e protestës që po vijon prej 25 ditësh në Tiranë, duke e cilësuar atë si një shprehje të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj klasës së vjetër të politikës shqiptare.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, PDE thotë se pjesëmarrësit në protestë kanë shprehur kritika si ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, ashtu edhe ndaj opozitës.
Në reagimin e saj, PDE shpreh bindjen se Shqipëria ka nevojë për një proces të ri demokratik që i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve, duke lënë pas polarizimin dhe marrëveshjet e vjetra politike.
“Natën e kaluar në Tiranë, dita e 25-t e protestës dërgoi një mesazh që asnjë parti nuk mund ta injorojë. Sloganet u drejtuan kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, por edhe ndaj një opozite që shumë qytetarë nuk e shohin më si alternativë.
Kjo është më e madhe se një lider i vetëm. Është një refuzim i një kuadri politik që nuk ka arritur të sjellë mirëqenie, transparencë dhe besim. Shqipëria meriton një rinovim demokratik, jo një tjetër marrëveshje të mbyllur mes elitave të lodhura. Rrugët po kërkojnë që të kalohet përpara.”, thuhet në reagim.