Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, rreth 30 persona përfundojnë në spital

Një tjetër rast helmimi ushqimor është regjistruar në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ku rreth 30 kursantë kanë marrë ndihmë mjekësore pas konsumimit të ushqimit të ofruar nga kompania e kateringut SORI-AL.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur kursantët kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Ata janë dërguar në grupe në spital, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ky është rasti i dytë i helmimit që regjistrohet brenda pak muajsh në Akademinë e Sigurisë. Në incidentin e mëparshëm, 52 studentë u helmuan pasi konsumuan ushqimin e furnizuar nga e njëjta kompani kateringu. Analizat laboratorike të kryera atëherë konstatuan praninë e baktereve Escherichia coli dhe stafilokok në makaronat e servirura.

Pas rastit të parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi aktivitetin e kompanisë SORI-AL dhe vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për tregtim ushqimi të pasigurt dhe mosrespektim të kushteve higjieno-sanitare. Megjithatë, disa ditë më vonë aktiviteti i kompanisë u lejua të rifillonte, pasi analizat e mëtejshme të higjienës së ambienteve dhe pajisjeve të punës rezultuan brenda normave të lejuara.

Ndërkohë, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë nisur hetimet për rastin e fundit, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të helmimit.