Jetmir Pepa, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është arrestuar në Dubai.
Pepa u shpall në kërkim në muajin Prill të këtij viti pas një aksioni të SPAK kundër trafikut të drogës.
Grupi kriminal i drejtuar nga Jetmir Pepa dyshohet se ka trafikuar mbi 7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt disa vendeve europiane.
Pas aksionit, me vendim të GJKKO-së u sekuestruan plot 232 pasuri që vlerësohen rreth 12 milionë euro, mes tyre 100% e aksioneve të kompanisë “Pepa Group”, në pronësi të familjarëve të Jetmir Pepës, firmë ndërtimi e cila ka fituar tenderë me vlerë totale miliona euro nga pushteti lokal dhe qëndror.
Jetmir Pepa ishte një emër i njohur për policinë. Edhe më herët ka qenë në kërkim pasi qëlloi me armë në janar të 2025 në një koncert, pas një sherri me disa persona të tjerë.
Pas arrestimit, pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.