Ministri i jashtëm rus deklaroi të martën se Evropa po “kthehet në një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare” për shkak të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, dhe pretendoi se SHBA nuk po përpiqen më të luajnë rolin e një ndërmjetësi objektiv për t’i dhënë fund luftës.
“Sa i përket Shteteve të Bashkuara, duke gjykuar nga veprimet e tyre, ato duket se po heqin dorë nga çdo pretendim për rolin e një ndërmjetësi objektiv dhe në vend të kësaj po ndjekin një kurs të rritjes së presionit të sanksioneve ndaj Rusisë,” tha Sergei Lavrov për diplomatët e huaj në Moskë.
Ndihmësi i presidentit rus Vladimir Putin, Yuri Ushakov, tha gjithashtu se Rusia është gjoja e gatshme për dialog me Bashkimin Evropian, duke përsëritur narrativën e Kremlinit se është Evropa, dhe jo Moska, ajo që po e zgjat luftën në Ukrainë.
Bisedimet e udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në Ukrainë mbeten praktikisht të ngrira, ndërsa vëmendja e presidentit Donald Trump është zhvendosur drejt Lindjes së Mesme.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, javën e kaluar u detyrua të mbrojë vendimin e tij të papritur për të hapur një kanal diplomatik me Kremlinin për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet për negociata paqeje, një mundësi që ekipi i tij e konsideroi aktualisht të parealizueshme.
Nuk është konfirmuar zyrtarisht, por besohet se Ushakov ka qenë zyrtari rus i përfshirë në këtë çështje.
Ndihmësi i Putinit nuk komentoi të martën për ndonjë kontakt të mundshëm me ekipin e Costas, por akuzoi menjëherë Brukselin se po përpiqet të “minojë marrëveshjet në Anchorage”, duke iu referuar samitit në Alaskë mes Trump dhe Putinit në gusht të vitit të kaluar.
Ai takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje për armëpushim në Ukrainë, por Moska pretendon se Uashingtoni ra dakord për të ashtuquajturën “formula e Anchorage”, një grup i paqartë “mirëkuptimesh” për ngrirjen e vijës së frontit dhe kufizimin e mbështetjes ushtarake perëndimore për Kievin, gjë që zyrtarët amerikanë nuk e kanë pranuar kurrë.
Një nga kushtet kryesore të Moskës për bisedime paqeje është që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga rajoni lindor i Donbasit, një zonë që Rusia ka tentuar ta pushtojë që nga viti 2014.
Ushtria e Kievit ende kontrollon pjesë të këtij territori dhe ka refuzuar ta dorëzojë atë.