Operacion antidrogë në Tiranë, arrestohet 44-vjeçari me 1.68 kg kokainë

Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Bulevardi”, ku u sekuestrua një sasi prej 1 kilogram e 680 gramë lëndë narkotike kokainë.

Sipas Policisë, i arrestuari është shtetasi me iniciale S.K., 44 vjeç, banues në Vorë, i cili dyshohet se furnizonte persona të tjerë me kokainë për shitje në doza, ndërsa një pjesë të lëndës narkotike e shpërndante vetë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, sipas të cilave 44-vjeçari do të transportonte dhe shpërndante një sasi të konsiderueshme kokaine në zonën e Bulevardit të Ri dhe në segmentet rrugore që lidhin Tiranën me Urën e Paskuqanit.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët e lokalizuan dhe e ndaluan për kontroll në rrugën “Riglata”, ku iu gjetën dy paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale rreth 1.68 kilogramë.

Autoritetet bëjnë me dije se ky aksion është në vijim të operacionit të koduar “Zonat”, të zhvilluar gjatë muajve maj dhe qershor, ku janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë.