A po përfundon epoka amerikane?

Ndërsa Shtetet e Bashkuara i afrohen 250-vjetorit të pavarësisë më 4 korrik, komentet europiane janë kthyer në një linjë tashmë të njohur: Donald Trump po i jep goditjen përfundimtare demokracisë amerikane, institucionet po shemben, Kina është gati të trashëgojë botën dhe shekulli amerikan po merr fund.

Ndoshta. Por edhe më parë kemi dëgjuar të njëjtën histori. Ekziston një test i thjeshtë për këtë lloj analize: zëvendësoni emrin Donald Trump me George W. Bush dhe shumë prej këtyre shkrimeve mund të ishin botuar pothuajse fjalë për fjalë 20 vite më parë. Zëvendësoni Kinën me Japoninë dhe do të gjeni të njëjtat parashikime nga fundi i viteve 1970, kur thuhej se “Ishulli i Diellit që Lind” do të tejkalonte Shtetet e Bashkuara.

Madje ekzistonte edhe një nënkategori më argëtuese e këtyre parashikimeve, e krijuar nga autorë si Jeremy Rifkin, i cili në një libër të vitit 2004 shkruante se “vizioni europian për të ardhmen po eklipsonte në heshtje ëndrrën amerikane”.

Megjithatë, Rifkin nuk e ka kaluar ende të preferuarën time: një artikull të vitit 2009 nga “analisti” Parag Khanna, i cili shpallte Bashkimin Europian si “superfuqinë e parë metroseksuale” të botës, gati për të kaluar Shtetet e Bashkuara “e ngathëta” në skenën e diplomacisë globale.

Mund të vazhdoja gjatë, por po e mbyll me librin e John Kampfner të vitit 2020 me titullin ironik: “Pse gjermanët e bëjnë më mirë: Shënime nga një vend i rritur.” Pak vende e mishërojnë më shumë idenë e një adoleshenti të përhershëm (me disa rrudha për shkak të demografisë) sesa Gjermania: një vend që, sipas kritikëve të tij, dëmtoi vetë furnizimin energjetik dhe krijoi një nga krizat më të mëdha të migracionit në histori. Shumë “i rritur”, siç do të thoshin britanikët.

Me fjalë të tjera, shpallja e fundit të republikës amerikane është një nga historitë më të përsëritura në gazetarinë perëndimore. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë kurrë, por do të thotë se kushdo që e parashikon duhet të shpjegojë pse këtë herë është ndryshe.

Ajo që me siguri ka përfunduar është momenti unipolar i viteve ’90, kur Uashingtoni besonte se kishte fjalën e fundit në çdo cep të botës. Ajo epokë nuk do të rikthehet, por rënia varet nga ajo që zgjedhim të masim.

Brenda hemisferës së vet, ndikimi amerikan ka më shumë gjasa të rritet sesa të zvogëlohet në dekadat e ardhshme. Ajo që po formohet ngjan më pak me një tërheqje dhe më shumë me një konsolidim: një fortesë jo vetëm e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por e “Shteteve të Bashkuara të Amerikave”, nga Alaska deri në skajin jugor të Amerikës Latine.

Pyetja për Europën, Australinë dhe Zelandën e Re është e pakëndshme: a do të jenë pjesë e këtij rendi amerikan, apo thjesht një shtesë e tij?

Politika e jashtme e Trump përshkruhet shpesh si e paparashikueshme, por autorit i këtij shkrimi i duket se ka një vijë logjike. Gjatë fjalimit të inaugurimit, Trump përmendi figurën historike të presidentit William McKinley dhe premtoi rikthimin e emrit të malit McKinley.

McKinley, megjithatë, nuk ishte izolacionist. Ishte presidenti gjatë Luftës Spanjollo-Amerikane të vitit 1898, kur SHBA mori territore si Hawaii, Filipinet, Porto Riko dhe Guam. Ai ishte presidenti që e shndërroi republikën amerikane në një fuqi me ndikim jashtë kufijve.

Një politikan që kthehet pas më shumë se një shekulli historie për të marrë frymëzim nga McKinley nuk duket se po kërkon të largohet nga bota.

“America First” nuk ka nënkuptuar kurrë “America Alone”. Administrata Trump refuzoi rolin e SHBA-së si financuesja kryesore e zhvillimit global, por nuk përqafoi një tërheqje totale nga bota.

SHBA nuk mund të shkëputet plotësisht nga sistemi global edhe nëse do të dëshironte. Ajo varet nga mineralet e rralla të importuara dhe zinxhirët e prodhimit të çipave elektronikë. Prandaj interesimi amerikan është rikthyer te pikat strategjike të tregtisë botërore: Kanali i Panamasë, Kanali i Suezit dhe Ngushtica e Hormuzit.

Edhe kriza me Iranin është një shembull se si historitë e rënies së fuqive shpesh shpallen shumë shpejt. Një humbje e vetme nuk përcakton fatin e një fuqie të madhe. SHBA humbi Luftën e Vietnamit në vitin 1975, por fitoi Luftën e Ftohtë 16 vite më vonë.

Pas kësaj strategjie qëndron një avantazh strukturor që shumë europianë vazhdojnë ta nënvlerësojnë: gjeografia amerikane.

Analisti Peter Zeihan e quan SHBA-në “superfuqi aksidentale”. Asnjë vend tjetër nuk është kaq i favorizuar nga natyra: toka bujqësore e Midwest-it, sistemi i lumit Misisipi, rezervat e mëdha të energjisë dhe portet natyrore krijojnë një bazë ekonomike të jashtëzakonshme.

Një tjetër avantazh është tërheqja e talenteve. Pas rizgjedhjes së Trump, shumë parashikuan një largim masiv të shkencëtarëve dhe inxhinierëve nga SHBA-ja. Kjo nuk ndodhi.

Universitetet amerikane vazhdojnë të tërheqin miliona studentë ndërkombëtarë dhe një pjesë e madhe e kompanive më të suksesshme teknologjike kanë themelues emigrantë.

Në inteligjencën artificiale, SHBA vazhdon të jetë qendra kryesore globale e kërkimit dhe investimeve.

Sigurisht, edhe bumi mund të përfundojë keq. Rritja e tregjeve është mbështetur shumë te kompanitë e mëdha të teknologjisë. Mund të ketë një flluskë financiare. Por historia e vitit 2000 me internetin tregon diçka: flluska mund të shpërthejë, por teknologjia që qëndron pas saj mund të ndryshojë botën.

Dallimi i madh mes SHBA-së dhe Europës është pritshmëria. Në Amerikë, një krizë shihet si diçka që pasohet nga rikuperimi. Në Europë, çdo krizë shpesh shihet si një tjetër hap drejt rënies së përhershme.

Për Europën, përcaktimi i vetes vetëm kundër Shteteve të Bashkuara nuk është strategji. Pa reforma ekonomike, ulje burokracie dhe një politikë më konkurruese energjetike, Europa rrezikon të mos jetë partnere e Uashingtonit, por vetëm vartëse e tij.

Shtetet e Bashkuara në moshën 250-vjeçare nuk janë ato të viteve 1990. Por pyetja nuk është nëse janë si atëherë. Pyetja është nëse vazhdojnë të jenë më të mira se alternativat.

Dhe sipas këtij argumenti, kapitulli i fundit amerikan mund të mos jetë shkruar ende.