G7 riafirmon mbështetjen për Ukrainën dhe paralajmëron presion më të madh ndaj Rusisë

Liderët e G7-së janë shprehur të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën, duke përfshirë integritetin territorial të vendit, ndërsa kanë rënë dakord të shtojnë sanksionet ndaj Rusisë.

Deklarata e përbashkët u miratua në përfundim të samitit të G7-së, i mbajtur nga 15 deri më 17 qershor në Evian-les-Bains të Francës, dhe konsiderohet një sinjal i rëndësishëm i forcimit të pozicionit të Kievit në përpjekjet për të çuar përpara bisedimet e paqes me Moskën.

Uniteti i treguar nga vendet anëtare të G7-së vlerësohet si veçanërisht domethënës, duke pasur parasysh se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shfaqur herë pas here rezerva lidhur me qasjen ndaj luftës në Ukrainë dhe mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.

Deklarata pasoi një takim që Trump e cilësoi si “shumë të mirë” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë të tjerë të G7-së. Takimi ka rritur optimizmin për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Zelensky bëri të ditur se mund të zhvillojë një tjetër takim me Trump gjatë ditës së mërkurë.

Sipas liderëve të G7-së, Ukraina ka forcuar ndjeshëm pozitat e saj pas operacioneve të suksesshme me dronë, të cilat kanë dobësuar kapacitetet dhe ndikimin e Rusisë në terren.

Në deklaratë u mirëprit gjithashtu marrëveshja paraprake e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e nënshkruar nga presidenti Trump në prag të samitit.

Një nga temat kryesore të presidencës franceze të G7-së është siguria e furnizimit me minerale kritike dhe adresimi i pabarazive ekonomike globale.

Franca po kërkon mbështetjen e partnerëve për një deklaratë të përbashkët që synon uljen e varësisë së Perëndimit nga Kina në sektorin e mineraleve strategjike, si dhe mbrojtjen e investitorëve nga praktikat e dumpingut dhe kundërmasat tregtare.

Shqetësimet janë shtuar pas kufizimeve të vendosura nga Pekini mbi eksportet e magneteve të përhershëm të prodhuar nga elementë të tokave të rralla, një veprim që vuri në pah varësinë e zinxhirëve perëndimorë të furnizimit në sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë.

“Po negociojmë tekste me rëndësi të madhe për mineralet kritike dhe, si pasojë, për sovranitetin ekonomik”, deklaroi një zyrtar i presidencës franceze përpara samitit.

Masat që po diskutohen përfshijnë mbështetje të çmimeve, standarde tregu, subvencione, garanci blerjeje dhe rritjen e investimeve private në zinxhirët e furnizimit jashtë Kinës.

Shqetësimet për dominimin ekonomik të Kinës

Liderët e G7-së do të diskutojnë gjithashtu mënyrat për të ribalancuar tregtinë globale dhe për t’iu kundërvënë asaj që e cilësojnë si “konkurrencë grabitqare”, kryesisht nga Kina.

Franca argumenton se pabarazitë aktuale ekonomike karakterizohen nga fakti se Kina prodhon tepër, Shtetet e Bashkuara konsumojnë tepër, ndërsa Europa investon më pak seç duhet.

Në Europë po rritet shqetësimi për suficitin rekord tregtar të Kinës dhe avancimin e saj në sektorë me vlerë të lartë të shtuar, në atë që analistët e quajnë “tronditja e dytë kineze”, pas dominimit të industrive me kosto të ulët në fillim të viteve 2000.

Ndërkohë, Bashkimi Europian pritet të shqyrtojë masa më të forta mbrojtëse tregtare ndaj importeve kineze në samitin e Brukselit. Vetëm vitin e kaluar, BE-ja regjistroi deficitin më të madh tregtar në histori me Kinën, mbi 360 miliardë euro.

Në agjendën e liderëve të G7-së është edhe inteligjenca artificiale, ku do të diskutohen çështje si përgjegjësia e sistemeve autonome, besueshmëria e informacionit dhe sfidat që teknologjia paraqet për dallimin mes së vërtetës dhe dezinformimit.

Në diskutime pritet të marrin pjesë edhe themeluesi i OpenAI, Sam Altman, si dhe drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei.