Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave prej 100 për qind ndaj verës dhe shampanjës franceze nëse presidenti francez Emmanuel Macron nuk heq taksën prej 3 për qind mbi shërbimet dixhitale që prek kompanitë amerikane të teknologjisë.
Në një intervistë për “New York Post”, të publikuar të hënën, Trump tha se ultimatumit ia kishte komunikuar drejtpërdrejt presidentit francez.
“I kërkova të mos vendosë tarifa ndaj kompanive amerikane dhe, nëse e bën, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos tarifa 100 për qind për të gjitha shampanjat dhe verërat që vijnë nga Franca”, deklaroi ai.
Kërcënimi vjen vetëm pak ditë përpara samitit të G7-ës në Évian-les-Bains të Francës dhe rikthen në vëmendje një mosmarrëveshje të vjetër tregtare mes SHBA-së dhe Francës.
Franca e miratoi taksën për shërbimet dixhitale në vitin 2019. E njohur edhe si “taksa GAFAM”, ajo vendos një tatim prej 3 për qind mbi të ardhurat e krijuara në Francë nga kompanitë e mëdha dixhitale, kryesisht gjigantët amerikanë si Google, Amazon, Meta dhe Apple, të cilat kanë të ardhura globale mbi 750 milionë euro dhe të ardhura në Francë mbi 25 milionë euro.
Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh eksportues për verën franceze, duke përfaqësuar rreth një të pestën e eksporteve totale franceze të verës dhe pijeve alkoolike, me një vlerë që kalon 2 miliardë dollarë në vit.
Aktualisht, verërat evropiane përballen me një tarifë prej 15 për qind në tregun amerikan. Sipas federatës franceze të eksportuesve, shitjet e verërave dhe pijeve alkoolike franceze ranë me 21 për qind gjatë vitit të kaluar.
Ekspertët vlerësojnë se një tarifë prej 100 për qind do të dyfishonte praktikisht çmimin e verërave franceze në SHBA, duke goditur rëndë prodhuesit në rajonet e Bordosë, Burgonjës dhe Shampanjës.
Trump ka argumentuar prej kohësh se taksat dixhitale diskriminojnë kompanitë amerikane. Nga ana tjetër, Franca arkëtoi rreth 700 milionë dollarë nga kjo taksë gjatë vitit të kaluar.
Zyrtarët francezë kanë refuzuar të tërhiqen. Macron pritet të zhvillojë një takim me Trump në kuadër të samitit të G7-ës dhe ka bërë thirrje për diskutime “të vendosura, por me respekt”.
Burime pranë presidencës franceze kanë bërë të ditur se taksa nuk është objekt negociatash, duke e cilësuar atë si çështje të sovranitetit fiskal. Franca këmbëngul se masa nuk është diskriminuese dhe zbatohet ndaj të gjitha kompanive që plotësojnë kriteret, pavarësisht kombësisë së tyre.
Kjo nuk është hera e parë që çështja shkakton tensione. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte kërcënuar gjithashtu me tarifa ndaj verës franceze për të njëjtën arsye, por ato masa u pezulluan më vonë gjatë negociatave më të gjera tregtare.
Edhe vende të tjera si Kanadaja dhe Italia janë përballur me presione të ngjashme, ndërsa Kanadaja e hoqi taksën e saj për shërbimet dixhitale në vitin 2025.
Prodhuesit francezë të verës kanë shprehur shqetësim të madh për rikthimin e këtyre kërcënimeve, duke paralajmëruar se tarifa të tilla do të ishin “shkatërruese” për kantinat e vogla dhe të mesme që varen nga tregu amerikan.