Suedia ashpërson rregullat: Emigrantët mund të humbasin lejen e qëndrimit edhe pa kryer krim

Parlamenti suedez ka miratuar një ligj të ri që u jep autoriteteve të drejtën të revokojnë lejet e qëndrimit të emigrantëve nëse konsiderohet se nuk kanë treguar sjellje të mirë, edhe kur nuk kanë kryer vepra penale.

Ligji i ri do të hyjë në fuqi më 13 korrik dhe do të zbatohet si për aplikimet e reja, ashtu edhe në mënyrë retroaktive për lejet ekzistuese të qëndrimit.

Legjislacioni zgjeron kriteret për vlerësimin e asaj që autoritetet suedeze e konsiderojnë një “mënyrë jetese të ndershme dhe të rregullt”. Sipas rregullave të reja, refuzimi ose revokimi i lejes së qëndrimit mund të ndodhë edhe për arsye si borxhet e papaguara, puna e padeklaruar, pamundësia për të siguruar jetesën, shkeljet e përsëritura të vogla apo lidhjet me organizata ekstremiste.

Ministri suedez i Migracionit, Johan Forssell, e mbrojti reformën duke deklaruar se “kushdo që nuk përpiqet të bëjë gjënë e duhur, nuk duhet të llogarisë se mund të qëndrojë në vend”.

Ai e cilësoi ligjin si pjesë të një kursi më të ashpër të politikave të emigracionit, të ndjekur që nga viti 2022 në bashkëpunim me Demokratët e Suedisë.

Masa është pjesë e axhendës së migracionit të Marrëveshjes Tidö dhe vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për shtator 2026.

Ligji pasqyron një ndryshim të ndjeshëm të politikës suedeze, e cila dikur konsiderohej ndër më të hapurat në Evropë. Ky ndryshim vjen pas viteve me flukse të larta emigracioni, sfidave të integrimit dhe shqetësimeve në rritje të opinionit publik për kriminalitetin dhe varësinë nga skemat sociale.

Mbështetësit e ligjit argumentojnë se ai nxit integrimin dhe garanton më shumë drejtësi në sistem. Ndërkohë, kritikët, përfshirë partitë opozitare dhe organizatat për të drejtat e njeriut, paralajmërojnë se formulimet e tij janë të paqarta dhe mund të çojnë në zbatim arbitrar.

Organizata “Civil Rights Defenders” deklaroi se “ligji për sjelljen e mirë i lë njerëzit në pasiguri për atë se cilat veprime apo shprehje mund të përdoren kundër tyre”.