OKB paralajmëron: 2.4 milionë refugjatë do të kenë nevojë për zhvendosje në vitin 2027

Gati 2.4 milionë refugjatë do të kenë nevojë për risistemim gjatë vitit të ardhshëm, njoftoi të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara, në një kohë kur një numër vendesh kanë reduktuar ndjeshëm kuotat e pranimit të refugjatëve.

UNHCR, agjencia e OKB-së për refugjatët, paralajmëroi për një mungesë serioze mundësish për këta persona, të cilët nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës dhe përballen me rreziqe në vendet ku aktualisht kanë gjetur strehim.

“Zgjerimi i programeve të risistemimit është urgjent dhe i realizueshëm”, deklaroi në Gjenevë Jackie Keegan, drejtuese e shërbimit për zgjidhje afatgjata dhe mbështetje të mbrojtjes në terren pranë UNHCR-së.

“Shtimi i kuotave, përfshirja e më shumë vendeve dhe përshpejtimi i procedurave do të siguronin që ky mekanizëm jetik të arrijë tek më shumë persona në nevojë”, shtoi ajo.

Në raportin e saj vjetor “Projected Global Resettlement Needs”, UNHCR vlerëson se 2.37 milionë persona nga 43 vende të origjinës, të strehuar aktualisht në 76 vende pritëse, do të kenë nevojë të risistemohen në vende të tjera gjatë vitit të ardhshëm.

Afganët përbëjnë grupin më të madh të refugjatëve që kanë nevojë për risistemim, të ndjekur nga refugjatët nga Sudani i Jugut, Sudani, Siria dhe komuniteti Rohingya nga Mianmari.

Shifra prej 2.4 milionë personash është 6% më e ulët krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Sipas Keegan, kjo rënie lidhet pjesërisht me kthimin e refugjatëve afganë nga Irani dhe Pakistani, shpesh në rrethana të vështira, si dhe me rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Assad në dhjetor 2024, çka hapi rrugën për kthime vullnetare në Siri.

Gjatë vitit 2025, vetëm rreth 37 mijë refugjatë u transferuan në një vend të ri përmes programeve të risistemimit të mbështetura nga UNHCR. Një vit më parë, kjo shifër ishte 116 mijë.

Pjesë e kësaj rënieje lidhet me Shtetet e Bashkuara, historikisht vendi që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve në botë, të cilat reduktuan ndjeshëm pranimin e tyre pas rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.

Megjithatë, Keegan theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me SHBA-në, pasi edhe vende të tjera me traditë në risistemimin e refugjatëve kanë ulur kuotat ose kanë pezulluar përkohësisht programet e tyre.