Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Edi Tushe.
Dr. Tushe ishte ndër themeluesit dhe kontribuesit më të rëndësishëm në zhvillimin e neonatologjisë moderne në Shqipëri, duke lënë një trashëgimi të vyer në kujdesin për të porsalindurit dhe në formimin profesional të brezave të tërë mjekësh.
Për shumë vite, doktor Tushe qëndroi pranë mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare, duke fituar besimin dhe respektin e tyre falë përkushtimit, profesionalizmit dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve.
Përveç kontributit në praktikën mjekësore, ai ishte një pedagog dhe mentor i respektuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin profesional të brezave të tërë mjekësh. Përkushtimi ndaj profesionit, dija e thellë dhe vizioni i tij për avancimin e mjekësisë e bënë një nga personalitetet më të vlerësuara në fushën e shëndetësisë.
Në një mesazh ngushëllimi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vlerësoi figurën dhe veprën e Dr. Tushes, duke theksuar se sistemi shëndetësor humbi një prej njerëzve që me punën dhe kontributin e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mjekësisë shqiptare.