Zhdukja e Eglant Koçit, drejtori i Policisë Tiranë: Trupi po kërkohet nga një strukturë e posaçme, po ndihmohemi edhe nga Kosova

Një strukturë e posaçme është ngritur nga Policia e Tiranës lidhur me kërkimet për gjetjen e trupit të Eglant Koçit, i cili dyshohet se është vrarë nga miku i tij, Armand Shakaj.

Drejtori i Policisë Tiranë, Oliger Torba tha se kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkohë deri tani nuk ka ende asnjë rezultat konkret nga kërkimet. Torba tha se hetimet për ngjarjen po ndiqen nga Struktura e Krimeve të Rënda.

“Është një ngjarje shumë sensitive, nga ana e jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, indicie në lidhje me këtë ngjarje është marrë nga familja e të humburit. Fillimisht komisariati numër 2 ka kryer të gjitha procedurat, më pas duke bërë një analizë të thelluar të ngjarjes, është gjykuar dhe hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës. Aktualisht krahas shërbimeve të Policisë së Shtetit, një ndihmë na ka ardhur edhe një njësi e posaçme nga FSK, po vijon kërkimi, deri tani nuk kemi pasur ndonjë rezultat konkret. Janë kontrolluar shumë zona ku kishim dyshimet tona pas analizave. Kërkimi vijon”- u shpreh ai.