Hetimet për zhdukjen e Eglant Koçit, dyshime se automjeti u transportua me karrotrec për të fshehur gjurmët

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e tij dhe kapjen e të dyshuarit kryesor, Armand Shakaj.

Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime se Shakaj ka përdorur një karrotrec për të lëvizur automjetin e tij, me qëllim shmangien e kontrolleve policore. Hetuesit dyshojnë se në mjet mund të ketë qenë edhe trupi i pajetë i Koçit.

Nga verifikimet e kamerave të sigurisë rezulton se automjeti është transportuar më 6 qershor drejt zonës së Ibës. Kjo ka ngritur dyshime se trupi i 34-vjeçarit mund të jetë mbajtur brenda makinës për rreth një ditë e gjysmë, pasi komunikimet e fundit të tij me familjarët datojnë më 4 qershor.

Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje drejtuesin e karrotrecit. Sipas dëshmisë së tij, automjeti është dërguar pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi pronari i kishte thënë se kishte pësuar defekt. Dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e mjetit dhe se pas dorëzimit është larguar.

Ndërkohë, ekspertët kriminalistikë kanë gjetur gjurmë që dyshohet se janë mbetje baruti në ambientet e zyrës ku mendohet se është mbajtur Koçi.

Aktualisht, policia është fokusuar në dy drejtime kryesore: gjetjen e trupit të Eglant Koçit në zona të ndryshme përreth Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit, si dhe lokalizimin e Armand Shakajt, i cili është shpallur në kërkim.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 41-vjeçari dyshohet të ketë ndryshuar disa numra telefoni gjatë ditëve të fundit, në një përpjekje për të shmangur gjurmimin nga autoritetet.