Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej shkurtit të 2025-ës.
Seanca e sotme është shtyrë zyrtarisht për shkak të mungesës së një pjese të avokatëve mbrojtës të palëve në proces. Përballë kësaj situate, gjykata ka marrë vendimin për të pezulluar afatet e paraburgimit për Erion Veliajn.
Në seancën e sotme në GJKKO, mungonte edhe vetë Veliaj, me pretendimin se mbajtja në kafaz e tij nuk është as e dinjitoze dhe për këtë arsye kërkon të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Në sallë ishte i pranishëm prokurori i SPAK, Ols Dado ndërsa mungonte prokurori tjetër i çështjes, Altin Dumani.
Gjykata e Posaçme urdhëroi që Veliajt t’i jepen 24 nga 61 fashikujt e dosjes.
Ndërkohë GJKKO caktoi edhe datën e seancës së radhës, e cila do të mbahet në 16 qershor, në orën 10:00.
Kujtojmë se SPAK ka ngritur 13 akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve të ndaluara në burg.