Përplasje e fortë mes Ramës dhe gazetares rumune, kryeministri: Keni ardhur me trurin e bllokuar nga gënjeshtrat

Një pyetje e një gazetareje nga Rumania lidhur me projektin e Zvërnecit ka shkaktuar një përplasje të fortë me kryeministrin Edi Rama, i cili reagoi me tone të ashpra dhe ofenduese gjatë konferencës për mediat.

Debati nisi kur gazetarja kërkoi sqarime mbi statusin e projektit në bregdet, duke pretenduar se Rama kishte deklaruar më herët se projekti ishte anuluar. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të kreut të qeverisë, i cili mohoi kategorikisht se kishte bërë një deklaratë të tillë.

“Nuk thashë asnjëherë që është anuluar. Asgjë nuk është anuluar, sepse nuk ka pasur kurrë një projekt për t’u anuluar”, u shpreh Rama.

Më pas, kryeministri e ashpërsoi tonin ndaj gazetares, duke e akuzuar se kishte ardhur në Shqipëri me informacione të rreme.

“Nuk është në rregull sepse vini këtu me kokën të mbushur plot me gënjeshtra që ju kanë bllokuar trurin dhe asgjë nuk kalon përmes tij”, deklaroi Rama.

Gazetarja iu përgjigj menjëherë duke thënë se “trurin e kam shumë në rregull”, ndërsa këmbënguli se kryeministri kishte përdorur termin “anuluar” në deklaratën e tij.

Rama vijoi përplasjen verbale, duke vënë në diskutim interpretimin e gazetares dhe duke insistuar se nuk kishte ekzistuar asnjë projekt konkret për t’u anuluar.

“Trurin e keni në rregull, problemi është sa i hapur është për faktet. Nuk e pranoj. Nëse të gjithë thonë se e kam thënë se e kemi anuluar projektin, atëherë kemi një problem. Na duhet të shohim regjistrimin”, tha ai.