Teksa mijëra qytetarë shqiptarë janë mobilizuar në mbrojtje të Zvërnecit dhe kundër ndërtimit të një resorti turistik brenda një Zone të Mbrojtur, Bashkimi Europian ka përcjellë një mesazh të fortë për ruajtjen e biodiversitetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së në Shqipëri u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të veprojnë pa humbur kohë për mbrojtjen e natyrës, duke paralajmëruar se mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në rënie.
Apeli i Bashkimit Europian merr një domethënie të veçantë në kulmin e protestave për Zvërnecin, ku qytetarët, ambientalistët dhe organizatat e shoqërisë civile po kundërshtojnë projektin turistik që sipas tyre, rrezikon një nga habitatet më të rëndësishme natyrore të flamingove.
Ky apel i BE mund të shihet edhe si një mesazh i fortë për kryeministrin Rama, që të mos lejojë ndërtimin e resortit në Zonë të Mbrojtur, por edhe si mbështetje ndaj protestuesve, që kërkojnë me çdo kush mbrojtjen e natyrës shqiptare, që po shkatërrohet nga investimet strategjike dhe “Paketa e Maleve”.
Mesazhi i BE:
Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë.
Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë.
Shpendët janë thelbësorë për natyrën: shpërndajnë fara, kontrollojnë insektet dhe ndihmojnë që ekosistemet të funksionojnë në mënyrë të shëndetshme.
Por humbja e habitateve dhe ndotja po i shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë.
Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh.
Mbro natyrën, sa je në kohë.