Nga Irani në Ukrainë: Si po e sfidon lufta asimetrike fuqinë ushtarake konvencionale

Kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, ajo priste që Kievi të binte brenda pak ditësh.

Kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli filluan një fushatë bombardimesh kundër Iranit në fund të shkurtit, ata parashikonin një kolaps të shpejtë të Republikës Islamike.

Por, në të dyja rastet, fuqia dërrmuese ushtarake nuk arriti të mposhtte kundërshtarin më të vogël dhe më të dobët në konflikt. Në vend të kësaj, Ukraina dhe Irani e riformësuan fushëbetejën me dronë të lirë vendas.

Konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme kanë sjellë në pah atë që ekspertët e quajnë luftë asimetrike me dronë. Për ta kompensuar mungesën e raketave dhe mungesën e një force ajrore moderne, aktorët ushtarakisht më të dobët po i përdorin gjithnjë e më shumë dronët për fushëbetejë më të barabartë.

“Lufta me dronë është e re në kuptimin që nuk i zëvendëson plotësisht mjetet ushtarake konvencionale, por modifikon mënyrën se si ato përdoren”, tha Clement Molin, analist në qendrën kërkimore franceze Atum Mundi.

“Nëse dronët përdoren kaq shumë nga Ukraina dhe Rusia, kjo ndodh kryesisht për shkak të mungesës së aftësive për epërsi ajrore ose mungesës së raketave. Këtë e shohim edhe në Lindjen e Mesme, ku shtetet kanë qenë në gjendje të arrijnë pothuajse përparësi totale ajrore ndaj Iranit”, shtoi ai.

Molin tha se avionët, tanket, logjistika dhe këmbësoria mbeten ende elemente thelbësore në luftën moderne. Megjithatë, sipas tij, roli i dronëve në strategjinë ushtarake po forcohet gradualisht.

“Dronët do të kryejnë misione autonome të drejtuara nga inteligjenca artificiale. Dronët tokësorë pa ekuipazh (UGV) do të jenë në gjendje të zëvendësojnë logjistikën ose të kryejnë sulme. Ndërsa dronët detarë do të mundësojnë luftë në sipërfaqe dhe nën ujë, madje edhe, siç po ndodh tashmë, të shërbejnë si ‘transportues dronësh’”, sipas tij.

“Konsumim me kosto të ulët”

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë bombardimesh kundër Iranit më 28 shkurt, duke goditur objektiva ushtarake dhe bërthamore, bazën industriale të vendit dhe duke vrarë dhjetëra zyrtarë politikë dhe ushtarakë iranianë.

Duke mos pasur forcë ajrore moderne dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, Irani u përgjigj duke lëshuar mijëra raketa balistike dhe dronë kamikazë Shahed kundër Izraelit, objekteve ushtarake dhe diplomatike amerikane në Gjirin Persik, si dhe kundër infrastrukturës energjetike në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Bahrejn dhe Kuvajt – të cilët janë aleatë kyç të SHBA-së.

Duke kërcënuar dhe sulmuar transportin ndërkombëtar detar, Irani gjithashtu e bllokoi pothuajse plotësisht trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë dhe gaz, duke fituar kështu ndikim të konsiderueshëm mbi fqinjët e tij në Gjirin Persik dhe mbi ekonominë botërore.

Me një kosto që mund të jetë vetëm 7.000 dollarë për njësi, dronët iranianë shkaktuan kosto të konsiderueshme ekonomike dhe operacionale për shtetet e Gjirit Persik, pavarësisht shkallës së lartë të neutralizimit të tyre.

Irani lëshoi rreth 4.000 dronë Shahed-136 dhe Arash-2 deri në hyrjen në fuqi të armëpushimit më 8 prill.

Sulmet me dronë të Iranit “paralizuan transportin detar, dëmtuan radarët e mbrojtjes ajrore dhe raketore, reduktuan eksportet e gazit dhe detyruan vendosjen e masave të kushtueshme të gatishmërisë”, tha Farzin Nadimi, ekspert për mbrojtjen iraniane në Institutin e Uashingtonit.

“Dronët iranianë vetëshkatërrues treguan në konfliktin e vitit 2026 se edhe forcat e dëmtuara rëndë mund të ruajnë aftësi sulmuese dhe ndoshta edhe të ndryshojnë balancën përmes një strategjie të vazhdueshme konsumimi me kosto të ulët”, shtoi ai.

Dronët e lirë dhe të prodhuar në vend nga Ukraina kanë luajtur rol të madh në luftën kundër Rusisë.

Jo vetëm që dronët kanë qenë vendimtarë për ta ndihmuar Kievin t’u bëjë ballë forcave ushtarake ruse në vijën e frontit, por ata kanë goditur gjithashtu flotat detare ruse në Detin e Zi dhe Detin Baltik, bazat ajrore dhe objektet ushtarake ruse, si dhe kanë dëmtuar ekonominë e luftës së Rusisë duke sulmuar rafineritë kryesore të naftës.

Pasi fillimisht kishte ngelur mbrapa në kapacitetet e saj me dronë, Rusia bleu mijëra njësi dhe teknologji nga Irani, dhe më pas zhvilloi dronët e vet.

Sipas ekspertëve, për të dyja palët – Rusinë dhe Ukrainën – e gjithë lufta është transformuar nga dronët: dronët kamikazë Shahed, dronët e furnizimit me ngarkesa të rënda, dronët FPV (me pamje nga personi i parë) dhe dronët e kontrolluar përmes kabllove me fibër optike.

“Grupet e parregullta”

Edhe aktorët joshtetërorë, përfshirë grupet militante në Lindjen e Mesme, po përdorin gjithnjë e më shumë dronë kundër ushtrive të rregullta. Midis tyre janë grupi militant libanez Hezbollah dhe rebelët huthi të Jemenit.

Hezbollahu është njëkohësisht grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Hezbollahu ka përdorur dronë me fibër optike – të zhvilluar fillimisht nga ushtarët rusë dhe tashmë të përhapur gjerësisht në Ukrainë – gjatë luftës aktuale me Izraelin.

Gjatë muajit të fundit, militantët e Hezbollahut kanë vrarë tre ushtarë të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe një civil izraelit duke përdorur dronë kamikazë të kontrolluar përmes kilometrave të tëra kabllosh me fibër optike, duke nxjerrë në pah cenueshmërinë edhe të ushtrive më të avancuara në botë ndaj inovacioneve të lira me dronë.

Ndryshe nga dronët e kontrolluar me radio, të cilët janë të ndjeshëm ndaj bllokimit elektronik dhe kërkojnë një linjë të qartë komunikimi me transmetuesin, dronët me fibër optike mund të drejtohen praktikisht kudo ku ka hapësirë për të fluturuar.

Ndërkohë, rebelët huthi kanë zhvilluar fushata sulmesh detare me dronë dhe raketa, të cilat kanë ndërprerë transportin global në Detin e Kuq.

“Grupe si Hezbollahu dhe Huthit kanë treguar tashmë se mund të përdorin strategji asimetrike, të bazuara në dronë dhe raketa të lira, për t’u imponuar kosto forcave ushtarake rivale”, tha Steven Feldstein nga Instituti Carnegie për Paqe Ndërkombëtare me bazë në Uashington.

“Huthit janë një shembull klasik i një grupi të parregullt që me kalimin e kohës ka zhvilluar një program të sofistikuar dronësh dhe raketash, i cili ka shkaktuar trazira të konsiderueshme në rajon”, shtoi ai.

Ekspertët thonë se të dy grupet kanë përdorur dizajne dhe njohuri teknike iraniane, komponentë komercialë të siguruar kryesisht nga Kina dhe mësime të nxjerra nga lufta në Ukrainë. REL