UNESCO ka shpallur liqenin e Shkodrës Rezervë Biosfere, vlerësim ndërkombëtar për një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë.
Kjo do të thotë se zona e përcaktuar shërben si laborator për zhvillimin e qëndrueshëm.
“Ky është një moment krenarie për Shkodrën, për komunitetet që jetojnë pranë liqenit dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ky territor mbart për turizmin, ekonominë lokale, zhvillimin e rajonit dhe rritjen e mirëqenies”, ka shkruar kryebashkiaku Benet Beci që bën të ditur lajmin.
Liqeni i Shkodrës karakterizohet nga një florë dhe faunë shumë e pasur e me shumë endemizma, si dhe nga një kapacitet dhe diversitet i lartë shpendësh, prej të cilëve 168 lloje u përkasin habitateve ujore.
Ai përfaqëson identitetin, historinë dhe trashëgiminë e një zone me vlera të veçanta, duke mbetur një nga asetet më të çmuara të Shkodrës dhe të Shqipërisë.