GJKKO rrëzon dy kërkesat e Metës, pranon aksesimin e provave elektronike

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e bërë nga ish-presidenti Ilir Meta për transmetimin live të seancës.

Po ashtu, GJKKO refuzoi kërkesën e Metës për të dalë nga kafazi i xhamtë. 

Ndërkohë GJKKO pranoi kërkesën e Metës dhe Monika Kryemadhit për t’iu vënë në dispozicion provat hetimore dhe ato dixhitale.

“Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, ta shikoni edhe njëherë çështjen e transmetimit live. S’kam dyshim që rastet që përmendët janë ashtu siç thoni ju. Ashtu edhe ne kemi paraqitur bazat tona ligjore.

Ju citoni mediat e pavarura, ndërsa një raport i fundit i OSBE-së tha se 90% e mediave janë të varura nga qeveria. Nuk shoh asnjë arsye që ky proces të mos jepet live. Ju thoni se publiku mund ta marrë informacionin dhe gazetarët e nderuar që janë këtu mund t’ua transmetojnë, por kemi një raport që thotë se qeveria lejon përhapjen e lajmeve sipas interesave të saj dhe jo në shërbim të opinionit publik.

Çështja e kafazit, pavarësisht vështirësisë së komunikimit, vlerësojeni vetë. Mua s’më shqetëson shumë. S’është çështje për veten time, por për çdo të pandehur në Republikë që s’ka rrezikshmëri për të cenuar procesin.

Kërkesën e parë e kërkova për shkak të funksionit që kam pasur, të dytën jo për shkak të funksionit që kam pasur, por për çdo të pandehur. Nuk kam kryer akte terroriste apo vepra të rënda”- u shpreh Meta në sallën e gjyqit.