Hetimet për Ballukun, biznesmeni Pandeli Carapuli paraqitet në SPAK! U pyet për vilën që iu sekuestrua ish-zv.kryeministres

Këtë të premte është paraqitur në SPAK, pronari i kompanisë Eurocol, Pandeli Carapuli lidhur me hetimet që po bëhen ndaj ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Kjo e fundit dyshohet se ka përfituar një vilë në Gjilekë nga biznesmeni, i cili ishte shpallur fitues i nje tenderi nga Albcontrol, në kohën kur drejtohej nga Balluku.

Edhe pse vila rezulton në emër të Igli Tares, SPAK dyshon se ajo është marrë si rryshfet nga ana e Ballukut, për tenderin e dhënë ndaj kompanisë Eurocol.

Për këtë çështje, Carapuli ka qenë sot në SPAK, ku është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm.

“Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “Ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.

Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.

Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B”- njoftoi SPAK një ditë më parë.