Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, hetim për procedurat e policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një konferencë për mediat në Korçë ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe u plagos një tjetër gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellarit.

Po ashtu, Hita bëri me dije se ka nisur një hetim për procedurat hetimore për arrestimin e Braçellarit.

Ndërkohë shtoi se në operacion kanë qenë 40 forca policie, të pajisur me jelek antiplumb, por s’ka mjaftuar që t’i sigurojë mbrojtje të plotë Mekollit.

Hita: Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë.

Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij.

Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor.

I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër, Edison Adri.

Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë.

Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës.

Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat.

Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin.

Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim.