Gjykata e Apelit e Posaçme ka vendosur të heqë masën e sekuestrimit mbi llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, të vendosur më herët në kuadër të hetimeve të SPAK për një çështje që lidhet me dyshime për tjetërsim pronash në zonën e Zvërnecit.
Llogaritë e bllokuara, të depozituara pranë BKT-së, përfshinin një shumë që arrinte rreth 200 milionë dollarë. Masa e sekuestrimit ishte ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme gjatë verifikimeve për aktivitetin e disa individëve dhe subjekteve të përfshira në projekte zhvillimi në këtë zonë bregdetare.
Në dosjen hetimore përmendet edhe administratori i shoqërisë, Redi Struga, ndërsa SPAK po heton gjithashtu rolin e Artur Shehut. Sipas burimeve pranë hetimit, Shehu jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dyshohet se ka pasur një rol kyç në skemën e pretenduar të tjetërsimit të pronave.
Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë, ndërsa vendimi i Apelit sjell zhbllokimin e fondeve të kompanisë deri në zhvillimet e mëtejshme procedurale.