Rama humb durimin dhe sulmon protestuesit: Më kujtoni nazistët dhe çakejtë e Agimit të Artë

Protesta masive qytetare duket se ka sjellë shqetësim të madh te kryeministri Rama, që pavarësisht të gjitha përpjekjeve me propagandë mediatike dhe analistë që duan të përçajnë qytetarët, nuk po ia del të qetësojë shqiptarët që kërkojnë tërheqjen nga ndërtimi në Zvërnec.

Në një postim në rrjetet sociale, teksa publikon një video ku disa të rinj e shajnë përpara selisë së Partisë Socialiste, Rama thotë se këta protestues i ngjasojnë me nazistët, që bërtisnin rrugëve “Gjermania e gjermanëve”.

Por në fjalët më poshtë, të cilat tregojnë më së miri se kreu i qeverisë e ka humbur qetësinë, ai vijon t’i krahasojë protestuesit edhe me “çakejtë” e Agimit të Artë.

Ndërkohë, vijon edhe propaganda se protesta po sponsorizohet nga Greqia, e cila nuk do që në Shqipëri të ndërtohen resorte luksoze.

Postimi i plotë:

MYSAFIRËT E PAFTUAR TË NATËS NË SELINË E PARTISË SOCIALISTE

“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit🤮

Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek👺

Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre😫

Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste