The New York Times i bën jehonë protestës në Tiranë: Protestat kundër investimit të Kushnerit po sfidojnë qeverinë shqiptare

Prestigjiozja amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull të gjerë protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër projekteve turistike të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Artikulli vë në dukje se demonstratat në Tiranë dhe në zonën e Zvërnecit janë shndërruar në simbol të pakënaqësive ndaj qeverisë, duke bashkuar ambientalistë, aktivistë dhe qytetarë të profileve të ndryshme.

Sipas NYT, qytetarët kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje të zonave të ndjeshme mjedisore, ndërsa qeveria e konsideron investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Artikulli evidenton se tensionet janë rritur ditët e fundit pas përplasjeve në terren dhe vendosjes së gardheve në zonën ku planifikohet ndërtimi.

Artikulli i plotë:

Planet për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdetin e Adriatikut kanë shqetësuar prej kohësh ambientalistët. Tashmë, këto zhvillime janë kthyer në një pikë përplasjeje që pasqyron pakënaqësitë më të gjera ndaj qeverisë.

Ditët e fundit janë shtuar protestat kundër planeve të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump, për zhvillimin e pronave luksoze në një zonë ekologjikisht të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Protestat, të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete bregdetare, janë shndërruar në simbol të pakënaqësisë së përhapur në Shqipëri, një vend që për shumë vite ka qenë ndër më të varfrit në Evropë. Një tjetër protestë ishte planifikuar për të martën në mbrëmje në kryeqytet.

Prej vitesh, projektet – një kompleks hotelesh luksoze me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe një zhvillim tjetër në Gadishullin e Zvërnecit, ku ndodhen ligatina të ndjeshme ekologjikisht – kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e mjedisit dhe mungesën e transparencës.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka përshkruar vazhdimisht këto projekte si një mundësi për të zgjeruar ekonominë turistike të vendit dhe për të tërhequr investitorë të huaj.

Të martën, Rama deklaroi në rrjetet sociale se projektet përfaqësojnë “ambicien për të krijuar destinacionin më tërheqës në këtë anë të Mesdheut”.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet e kundërshtarëve se Kushner, i cili është një nga investitorët e projektit, ka përfituar trajtim preferencial për të fituar favorin e vjehrrit të tij, Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë i referoi pyetjet te kompania investuese e Kushnerit, Affinity Partners, e cila financohet kryesisht nga fondet e qeverisë së Arabisë Saudite. Nga ana e saj, Affinity Partners i drejtoi pyetjet te kompania Sazan Real Estate Development LLC, zhvilluesja e të dy projekteve në Shqipëri.

“Jemi të entuziazmuar për mundësinë e krijimit të një destinacioni të klasit botëror dhe realizimin e një prej investimeve private më të mëdha në historinë e rajonit,” deklaroi Asher Abehsera, kryetar i kompanisë zhvilluese Sazan.

Ai shtoi se fokusi i tyre përfshin edhe “menaxhimin e përgjegjshëm” të mjedisit.

Megjithatë, jo të gjithë në Shqipëri janë dakord.

Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare dhe kundërshtar i projektit, tha se është inkurajuar nga fakti që kundërshtimi ndaj projektit ka tejkaluar kufijtë e aktivistëve mjedisorë.

“Këtu gjen pothuajse gjithçka,” tha ai. “Ka njerëz të majtë, të djathtë dhe me bindje të ndryshme fetare.”

Sipas tij, një nga problemet kryesore është se nuk është publikuar asnjë raport për ndikimin në mjedis, siç kërkohet zakonisht për projekte të tilla.

Që nga fundi i prillit, protestuesit janë mbledhur në vendin ku planifikohet një nga zhvillimet në Gadishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare prej rreth 1,000 hektarësh që strehon shumë specie shpendësh, përfshirë flamingot dhe pelikanët.

Protestat nisën pasi ambientalistët vunë re shenja që tregonin fillimin e punimeve, përfshirë gjurmë të makinerive të rënda dhe buldozerëve që po shkatërronin dunat ranore.

Bino tha se ditët e fundit tensionet u rritën më tej pasi në zonë u vendosën gardhe me tela me gjemba. Sipas tij, është ndërtuar edhe të paktën një rrugë hyrëse.

Të shtunën, sipas videove të verifikuara, përplasjet morën një kthesë të shëmtuar.

Burra shkëmbenin britma përtej gardheve me tela me gjemba. Në një tjetër video, dy persona tërhiqnin një burrë zvarrë mbi rërë, ndërsa të tjerë hidhnin mbi njëri-tjetrin atë që dukej si dhe.

Bino dhe protestues të tjerë e shohin projektin si simbol të asaj që ata e konsiderojnë një rrëshqitje demokratike në Shqipëri, e cila doli nga dekada të tëra sundimi komunist në vitin 1991.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për transparencën në zbatimin e ligjit mjedisor, por për transparencën në përgjithësi,” tha ai.

“Bëhet fjalë për demokracinë,” shtoi Bino. “Protestat fokusohen te zonat e mbrojtura, por në thelb kanë të bëjnë me demokracinë në përgjithësi.”

Prej vitesh, banorët lokalë kanë ngritur shqetësime për pronësinë e tokave, por marrëveshjet kanë vijuar përpara, duke anashkaluar kundërshtimet e komunitetit.

Në dhjetor të vitit 2024, pas muajsh debatesh dhe kundërshtimesh, Shqipëria dha miratimin paraprak për planin e propozuar nga Kushner për zhvillimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, i cili dikur shërbente si bazë sekrete ushtarake për nëndetëset.

Sipas planeve, projekti në Zvërnec do të përfshinte rreth 6,000 dhoma hoteli dhe vila.

Ambientalistët shqiptarë druhen se projekte të ngjashme mund të pasojnë edhe në zona të tjera ekologjikisht të ndjeshme. Bino tha se shumë njerëz shqetësohen se ky projekt mund të krijojë një precedent të rrezikshëm.

“Ky projekt po shndërrohet në një lloj katalizatori,” tha ai për zhvillimin në Zvërnec, duke shtuar se projekte të tjera të ngjashme janë tashmë “në pritje të miratimit”.