Protesta për Zvërnecin, qytetarët i përgjigjen Ramës: Pa dorëheqje, s’ka dialog

“Jep dorëheqje, s’ka dialog”. Me këtë thirrje, protestuesit i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama, i cili më herët gjatë kësaj të marte kërkoi një takim me disa përfaqësues, pas kundërshtimit të projektit në Zvërnec.

Mijëra qytetarë, të mbledhur poshtë zyrës së Ramës, kërkuan të anulohej projekti në Zvërnec dhe njëkohësisht dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Po ashtu protestuesit mbajnë pankarta të ndryshme, ku ndër to shkruhet: “Jam bir shqipe more shkja, ti sha ne s’dime me sha, ta kemi thënë s’na e njef trunin. N’kryeministri ta ngremë flamurin”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “S’ka lind ai bir k’rve, e as ai bir cifuti qe t’na mari trojet tona”, etj.

Ashtu si një ditë më parë, në protestë ka një numër të madh protestuesish, të cilët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të mbërritur më pas para Kryeministrisë.