“Dorëheqje”/ Nis protesta kundër projektit në Zvërnec, pjesëmarrje masive e qytetarëve në Tiranë! ‘Zbutet’ Rama, kërkon takim me disa përfaqësues

Ashtu siç ishte paralajmëruar, mijëra qytetarë kanë dalë sërish në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër projektit në Zvërnec.

Kjo është dita e tretë që protestohet në Tiranë, ku protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ndërsa mbajnë me vete pankarta të ndryshme. Njëzëri ata kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama dhe anulimin e projektit.

Më herët, gjatë konferencës me presidentin e Këshillit të Evropës, Rama tha se përsa kohë ai do të jetë kryeministër, investimi nuk do të ndalojë.

Ndërkohë disa orë më vonë, ai doli me një tjetër reagim, duke kërkuar një takim me protestuesit.

“Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”- shkroi Rama mes te tjerash në reagimin e tij.

Reagimi erdhi pasi një ditë më parë, protestuesit i lanë afat 24 orë kreut të qeverisë për të anuluar lejen për ndërtimin e projektit në Zvërnec.

Kujtojmë se Rama ka theksuar se projekti është në fazë studimi dhe se po punohet nga studio ndërkombëtare arkitekture, ndërsa kundërshton pretendimet që, sipas tij, po qarkullojnë pa bazë faktike.