Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanive të lidhura me projektin e Zvërnecit.
Burime për mediat bëjnë me dije se sekuestro është vendosur me urdhër të prokurorit të SPAK, Altin Dumani.
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Zvërnecit.
Ndërkohë nuk dihet ende shuma e parave të sekuestruara nga ana e SPAK.
Një prej administratorëve të kompanisë është Redi Struga, i cili i është nënshtruar kontrollit nga ana e agjentëve të BKH-së.
Në qendër të hetimit përmendet gjithashtu Artur Shehu, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara. Sipas burimeve hetimore, ai dyshohet se ka pasur rol drejtues në skemën e pretenduar të tjetërsimit të pronave.
Lidhur me projektin në Zvërnec një tjetër protestë është paralajëmruar pasditen e sotme në kryeqytet. Protesta do të zhvillohet para Kryeministrisë, në orën 18:00.