Rama e merr vetë përsipër të justifikojë privatizimin e Zvërnecit: Do flas nesër në orën 10

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjeve të djeshme në Zvërnec, ku protesta kundër projektit turistik u shoqërua me tensione dhe dhunë ndaj qytetarëve.

Rama paralajmëroi se do të dalë në një komunikim publik në orën 10:00 për të dhënë sqarime lidhur me projektin që po kundërshtohet nga banorë dhe aktivistë, duke premtuar se do të shpjegojë “të vërtetat dhe të pavërtetat” që, sipas tij, po qarkullojnë rreth investimit.

“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit”, shkruan Rama.

Duke iu referuar pamjeve që qarkulluan gjerësisht në media dhe rrjete sociale nga protesta në Zvërnec, kryeministri vlerësoi reagimin e Policisë së Shtetit pas ngjarjes.

“Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura”, theksoi ai.

Protesta e djeshme në Zvërnec u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe personave të identifikuar si roje private, ndërsa pamjet e dhunës ndaj qytetarëve kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.