Hodhi dherat dhe inertet në Dhërmi, IKMT gjobit me 1 milion lekë kompaninë “Gjikuria”, i pezullohet aktiviteti

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndëshkuar me 1 milion lekë gjobë kompaninë Gjikuria, pas evidentoi një vend depozitimi mbetjesh inerte dhe dherash të dala nga gërmimet, në pjesën e sipërme të fshatit Dhërmi.

Nga verifikimet rezultoi se kompania ushtronte aktivitetin pa qenë e pajisur me Leje Mjedisi të tipit B, sipas kërkesave të shtojcës 5.2 të legjislacionit përkatës.

Përveç masës administrative me vlerë 1 milion lekë, IKMT ka vendosur edhe pezullimin e aktivitetit të kompanisë deri në pajisjen me lejen përkatëse mjedisore.

Gjithashtu, kompanisë i është lënë detyrimi për rehabilitimin e zonës ku janë kryer depozitimet e inerteve, brenda një afati të arsyeshëm.

Njoftimi:

Hedhja e dherave dhe inerteve në krye të fshatit Dhërmi, IKMT gjobit kompaninë “Gjikuria”, detyrim edhe të rehabilitojë zonën

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndëshkon me masë administrative gjobë subjektin “Gjikuria”. Drejtoria Qendrore e IKMT-së kreu inspektim në zonën e Dhërmiut ku konstatoi një vend depozitim mbetjesh inerte dhe dhera të dala nga gërmimet në krye të fshatit. Gjatë verifikimit të kryer, subjekti rezultoi se nuk ishte i pajisur me Leje Mjedisi të tipit B shtojca 5.2. Për shkak të këtyre shkeljeve të konstatuara, IKMT mori masën administrative dënim me gjobë në vlerën 1,000,000 lekë. Gjithashtu u mor dhe masa plotësuese e pezullimit të aktivitetit deri në pajisjen me lejen përkatëse sipas legjislacionit. Kompanisë “Gjikuria” ju ngarkua edhe detyrimi për të eleminuar pasojat e shkaktuara në një afat të arsyeshëm, për të rehabilituar zonën ku janë kryer depozitimet e inerteve.