Rekord i ri, 274 alpinistë ngjiten në majë të malit Everest brenda një dite

Një numër rekord prej 274 alpinistësh arritën majën e Malit te Everestit të mërkurën, duke shënuar shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në një ditë të vetme nga ana jugore e malit, sipas një zyrtari të turizmit malor në Nepal.

Shifra tejkalon me rreth 50 persona rekordin e mëparshëm prej 223 alpinistësh të vendosur më 22 maj 2019, megjithëse atë vit numri total ishte më i lartë për shkak se ngjitje u kryen edhe nga ana veriore e malit në Tibet.

Sipas raporteve, Kina nuk ka lëshuar leje për ngjitje nga ana veriore këtë vit, duke bërë që të gjithë alpinistët të përqendrohen në anën jugore të Everestit.

Kush e konfirmoi shifrën?

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Operatorëve të Ekspeditave në Nepal, Rishi Bhandari, e konfirmoi shifrën për CNN, duke e lidhur rekordin me kushtet e favorshme të motit dhe numrin e madh të alpinistëve që prisnin të ngjiteshin në majën 8,848 metra të lartë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se gjatë ditëve në vijim priten erëra të forta, të cilat mund të vështirësojnë më tej kushtet në mal.

Problemi i mbipopullimit në Everest

Mbipopullimi në Everest ka qenë një problem i vazhdueshëm prej vitesh. Një nga imazhet më të njohura u publikua në vitin 2019 nga alpinisti Nirmal Purja, ku shihej një radhë e gjatë njerëzish në një kreshtë të ngushtë në zonën e njohur si “zona e vdekjes”.

Sipas tij, rreth 320 persona ishin në radhë në atë pjesë të rrezikshme të malit.

Sezoni i ngjitjeve dhe vonesat

Mount Everest Mount Everest ka një dritare të shkurtër ngjitjeje çdo pranverë, zakonisht nga mesi deri në fund të majit, kur erërat e forta të dimrit dobësohen dhe kushtet bëhen më të favorshme për alpinistët.

Sezoni i këtij viti nisi pas një bllokimi të rrugës drejt majës, i shkaktuar nga akumulimi i akullit që pengoi qindra alpinistë të nisnin ngjitjen nga Base Camp.

Një grup specialistësh të njohur si “icefall doctors” punuan për javë të tëra për të pastruar një bllok të madh akulli (serac), duke bërë të mundur hapjen e rrugës më 13 maj.

Megjithatë, vonesat rritën shqetësimet për mbipopullim, pasi shumë alpinistë u grumbulluan në pritje dhe u ngushtua koha e mundshme për ngjitje.

Rekord lejesh për këtë vit

Autoritetet në Nepal kanë lëshuar rreth 500 leje për ngjitjen e Everestit këtë sezon pranveror, një tjetër faktor që ka rritur presionin në mal dhe ka ndikuar në numrin e madh të alpinistëve që synojnë majën.