Përplasjet për aeroportin e Vlorës/ Punonjësit e Pacollit peticion Ministrisë së Infrastrukturës, kërkojnë ndërhyrje urgjente

Vijojnë prej disa ditësh përplasjet në aeroportin e Vlorës mes dy kompanive të përfshira në ndërtimin e tij.

Kompania “Mabco Construction” së bashku me nënkontratorët i janë drejtuar me një peticion Ministrisë së Infrastrukurës dhe Energjisë duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zhbllokimin e situatës.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme duke pretenduar se punimet janë ndalur padrejtësisht dhe kjo ka sjellë shkelje të kontratave, cenim të të drejtave të mbi 200 punëtorëve. 

Kujtojmë se për katërtën ditë me radhë, punëtorët e kompanisë “Mabco Construction” nuk janë lejuar nga siguria private e “2A Group’ për të vijuar punimet në aeroport.

Prej muajsh kompania “ Mabco Construction”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, e cila zotëron rreth 98% të aksioneve, dhe kompania “2A Group”, me 2% të aksioneve, e lidhur me biznesmenin Valon Ademi, janë përfshirë në një betejë ligjore mbi vlefshmërinë e disa marrëveshjeve të mëvonshme lidhur me aksionet.

Por kompania “2A Group” e Valon Ademit pretendon se palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së këtij të fundit shkonte nga 2 në 49%, por kontrata nuk ishte regjistruar në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit).