Integrimi/ Grupi i Punës në Këshillin e BE miraton IBAR, Konferenca Ndërqeveritare më 26 maj

Grupi i punës për Zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Sipas procedurave të brendshme të BE-së, pas miratimit të IBAR, dosja i kalon COREPER II, Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, ku do të bëhet edhe sanksionimi formal i mbajtjes së Konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Miratimi formal nga COREPER do të hapë rrugën për mbledhjen e konferencës ndërqeveritare më 26 maj për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave.

IBAR, ose Raporti i Vlerësimit të Standardeve të Përkohshme, është i lidhur me grupkapitullin e parë “Themeloret”, i cili përfshin fusha të rëndësishme si shteti i së drejtës, reforma në drejtësi, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe administrata publike.