Klodjan Skënderaj mes favoritëve për kreun e ri të Dhomës së Avokatisë

Ditën e nesërme, nga ora 09:00 deri në 18:00, në ambientet e Piramidës në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Në garë janë 8 kandidatë, të cilët synojnë të zgjidhen në krye të këtij institucioni për një mandat 4 vjeçar, teksa do të votohen nga rreth 1900 avokatë me të drejtë vote.

Klodjan Skënderaj,  Lulzim Alushaj, Sajmir Visha, Edmond Petraj, Gentjana Qendro, Malbina Lika, Mirela Biba dhe Sonila Velo, janë kandidatët që synojnë të zëvendësojnë në këtë post Fatmir Brakajn, i cili drejtonte Dhomën e Avokatisë së Tiranës prej vitit 2001.

Një prej emrave më të spikatur dhe favorit për të fituar këtë garë është Klodjan Skënderaj.

Prof. Asoc. Dr. Klodjan Skenderaj ka përfunduar me rezultate maksimale (110/110) studimet universitare në vitin 2005, pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenoves, Itali. Në vitin 2013 ka përfunduar studimet e doktoratës në fushën e së drejtës së procedurës penale, ndërsa prej vitit 2016 mban titullin “Profesor i Asociuar”.

Klodjan Skënderaj është autor i librit “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”, literaturë për studentët në Master Shkencor Penal dhe Master Profesional Penal, në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. 

Prej vitit 2018 e në vazhdim është ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës në Programin e Trajnimit Vazhdues, ndërkohë që është angazhuar si ekspert dhe në projekte të shoqatave të ndryshme me fokus ligjin procedurial penal dhe atë material.

Prej shtatorit 2020 është anëtar i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu Skënderaj është  autor i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe artikujve shkencorë të publikuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.