Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Laert Haxhiu, duke konfirmuar kështu dënimin e tij me burgim të përjetshëm për ngjarjen e njohur si “Masakra e Lushnjës”.

Me këtë vendim, trupa gjykuese e shkallës së tretë të gjyqësorit nuk pranoi kërkesën për prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm, duke e lënë atë në fuqi.

Vendimi u mor nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni.

Haxhiu është shpallur fajtor për ngjarjen e ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, ku humbën jetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu.

Për të njëjtën çështje, me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Ata akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “vrasje në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave”, “kryerje e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, “mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si edhe “prishje të qetësisë publike”.