Një operacion i forcave speciale të Policisë së Shtetit për kapjen e një personi të shpallur në kërkim është shoqëruar me shkëmbim zjarri në Mamurras, ku ka mbetur i plagosur një 23-vjeçar i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, objektivi i operacionit ishte Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Trentos në Itali për veprën penale të “tentativës për vrasje”.
Ngjarja ka ndodhur në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, ku efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale kanë ndërhyrë për arrestimin e të riut.
Sipas policisë, në momentin e ndërhyrjes, Leonard Dema, i cili lëvizte me automjet së bashku me shtetasin A.F., 28 vjeç, ka tentuar të përplasë me makinë efektivët, duke u rrezikuar jetën. Ndërkohë, personi që e shoqëronte dyshohet se u ka drejtuar armën e zjarrit policëve.
Në këto kushte, efektivët kanë ndërhyrë për neutralizimin e tyre, duke plagosur 23-vjeçarin Leonard Dema. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia bëri me dije se gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi A.F., ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë që ai posedonte.
Njoftimi i Policisë:
Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.
Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.
Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.
Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.
Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.