Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i ka drejtuar sot një letër kryeparlamentares Lindita Nikolla në emër të grupit parlamentar të PD-së për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Ai ka propozuar që të ndërtohet një process transparent dhe demokratik për përzgjedhjen e një kandidature dinjitoze për funksionin kushtetues të Avokatit të Popullit
“Me qëllim që procedura kushtetuese të jetë sa më transparente për publikun dhe dialogu parlamentar ndërmjet palëve të jetë i bazuar në një metodologji dhe kritere të qarta që synojnë arritjen e konsensusit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon ndërtimin e një procesi transparent dhe demokratik për përzgjedhjen e një kandidature dinjitoze për funksionin kushtetues të Avokatit të Popullit, me lehtësimin e kryetares së Kuvendit”, shkruan Bardhi.
Kujtojmë se gjatë seancës plenare në Kuvend ditën e djeshme, Nikolla lexoi shkresën ku thuhej se kryetarja e re e grupit parlamentar të PD-së ishte Flutura Açka, një detyrë që ia delegoi Lulzim Basha.
Por kjo u kundërshtua nga Bardhi dhe shumica e deputetëve demokratë, për të cilët Bardhi është ende në detyrë si kryetar i atij grupi.