Shehaj fut banorët e Rrjollit në Kuvend, i kërkon llogari Koçiut: Jepi përgjigje për pronat

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj gjatë një interpelance me zv. kryeministren Albana Koçiu në Parlament ka kërkuar llogari për përgjegjësinë që ka Qeveria në lidhje me situatën ku ndodhen banorët e Rrjollit, për tokat e tyre që pretendojnë se u janë grabitur dhe në to po ndërtohet resort.

Shehaj tha se banorët e fshatit Rrjoll në Shkodër, në protestë prej më shumë se 100 ditësh, pretendojnë se u janë vjedhur pronat e trashëguara nga të parët, tokat ku kanë jetuar, nga përfshirja e zyrtarëve të Hipotekës dhe Qeverisë që ka dhënë lejen e ndërtimit për një resort turistik në atë zonë.

“Zonja zëvendëskryeministre, këtu banorët e Rrjollit kanë mbi 100 ditë që protestojnë. Banorët pretendojnë që një oligark bashkë me ish kryetarin e hipotekës kanë vjedhur pronën e tyre. Ky është pretendimi i tyre zonja ministre. Dhe detyra jonë është të dëgjojmë zërin e tyre. Dhe këtë interpelancë në fakt unë e kam kërkuar por e kam kërkuar për llogari të tyre dhe pyetjes së cilës ti do i përgjigjesh në emër të qeverisë”, u shpreh kreu i Mundësia.

Gjatë fjalës së Shehajt në interpelancë, në llozhat e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të banorëve të Rrjollit, të cilët ndoqën diskutimin e kreut të Mundësia dhe përgjigjet e zv.kryeministres Koçiu.

“Banorët janë këtu shikojeni, shikojeni, ata për të cilët ju nuk flisni, ju i injoroni, kanë ardhur këtu në sallën tuaj. Këtu ku mbroni korrupsionin, këtu ku votoni ligjet për të vjedhur pronat e qytetarëve shqiptarë, i ke këtu”, tha Shehaj.

Në foltoren e Kuvendit, Shehaj solli zërin e një të moshuare e cila prej shumë vitesh ka jetuar në Rrjoll, është martuar e ka lindur e rritur fëmijët në tokat që sot thonë se ua kanë grabitur, e cila kishte një kërkesë për kryeministrin Edi Rama dhe një pyetje për ish.zv. kryeministren Belinda Balluku.

“Familja e Malajve, kështu na keni bërë. Vër dorën në zemër e shpirtin.

Pyetja është shumë e thjeshtë.

Po t’i lëmë, tani t’i lëmë, ça të bëjmë, t’i lëmë vetëm, të pambrojtur, t’i lëmë ndërkohë që kjo qeveri iu vjedh pronat.

Tani, znj. zv.kryeministre, nuk kërkon shumë kjo zonja, kjo e moshuara, nuk kërkon shumë. Kërkon thjesht që të vini dorën në zemër dhe t’i garantoni pronën, mos t’ia vidhni pronën. Ju pyet: keni prindër a s’keni prindër, keni fëmijë a s’keni fëmijë?

Si mundeni, thotë, si mundeni të na nxirrni, të na merrni pronën në këtë fare mënyre?

Nuk ju kërkon shumë, nuk ju kërkon as rritje pensioni, nuk ju kërkon as ujë, as drita. As të krijoni kushte që fëmijët e saj të jetojnë në Shqipëri, ju kërkon thjesht mos t’i merrni pronën.

Mos t’ia vidhni pronën. Kaq. Shumë e thjeshtë”, u shpreh Shehaj.

Shehaj i bëri thirrje zv.kryeministres Koçiu duke e ftuar për një moment të mendonte nëse do të ishte ajo në vend të banorëve të Rrjollit dhe të zbulonte se në tokën pronë të saj, të ndërtonte një oligark.

“Tani, znj. ministre ose zv.kryeministre se jeni rritur në detyrë, unë ju ftoj për një moment, jo vetëm juve por dhe të gjithë, bëjeni njëherë, mundohuni se dhe mund t’ia dilni. Ore imagjinoni të jeni në një moment në vend të tyre, imagjinoni një moment. Një ditë të bukur pasi ju kanë mohuar të drejtën e pronës, dhjetëra vite nëpër gjykata duke ju mohuar të drejtën e pronës, duke kërkuar një certifikatë pronësie, vini dhe shikoni që po ndërtojnë në pronën tuaj. Ti je pronar dhe shkon dhe shikon që në pronën tënde, dikush tjetër po ndërton. Dhe ti s’di ça të bësh dhe e vetmja gjë që të ka mbetur është të protestosh. Se çfarë mund të bësh, çfarë mund të bësh?

Pastaj merr vesh që kush po ndërton, po ndërton një oligark bashkë me ish-drejtorin e hipotekës. Ti çfarë do mendoje znj. zv.kryeministre, çfarë do mendoje ti?

“Ahh duhet të mendojmë për Shqipërinë.” Nuk do të të vinte pak inat, nuk do thoje: “Prit se është prona ime.”

Nuk do të protestoje?”, tha Shehaj.

Lidhur me deklaratat e zv.kryeministres për ndërhyrjet e policisë në përplasjet e banorëve të Rrjollit me policinë private të kompanisë që po ndërton resortin, Shehaj tha se nuk është e vërtetë që efektivët kanë parandaluar përshkallëzimin e përplasjeve.

” Ishte policia aty tha dhe u kujdes që këta mos të rriheshin. Ata i rahën me grushta, ishte një zotëri i kishin çarë këmbën. Si mund të thoni? Policia ishte aty dhe bënte sehir. Policia mbante anën e policisë private. Nuk ishte aty për të mbrojtur qytetarët” tha Shehaj.

Shehaj theksoi në fjalën e tij se Partia Mundësia do të vazhdojë të qëndrojë në krah të banorëve të Rrjollit.

“Zonjë e nderuar, ne do vazhdojmë të qëndrojmë në krahë të qytetarëve! Në krahë të të pambrojturëve, në krahë të pronarëve të cilëve po u grabitet prona!
E dimë që ju bezdisim, e dimë që ju nuk jeni mësuar por ne nuk dorëzohemi. Nuk dorëzohemi! Do vazhdojmë do vijmë këtu, do flasim, do ju kërkojmë llogari, që të vini këtu të flisni e të thoni se si i keni marrë pronat, se si po i dhunoni me polici private”.