IBAR nuk miratohet në Bruksel, integrimi i Shqipërisë në “ngërç”

Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR), një nga dokumentet më të rëndësishme në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, nuk është miratuar as në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Bruksel mes përfaqësuesve të Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së.

IBAR lidhet kryesisht me Kapitullin 23 dhe 24 të negociatave, që konsiderohen edhe më të ndjeshmit për procesin e integrimit. Në fokus të tyre janë sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe respektimi i të drejtave themelore.

Mosmiratimi i raportit në takimin e së martës shihet si një sinjal se disa vende anëtare të Bashkimit Europian ende nuk janë të bindura për përmbushjen e plotë të kritereve dhe kushteve të vendosura ndaj Shqipërisë për avancimin e mëtejshëm të negociatave.

Miratimi i IBAR do t’i hapte rrugë Shqipërisë drejt mbylljes së kapitujve negociues, duke rritur besimin në procesin e integrimit europian. Ndërsa mungesa e votimit të këtij dokumenti mund të sjellë ngadalësim të procesit, duke lënë pezull hapjen apo mbylljen e kapitujve të tjerë negociues.

Sipas burimeve diplomatike, pritet që diskutimet për raportin të vijojnë edhe në mbledhjet e ardhshme të parashikuara më 19 dhe 22 maj, ku vendet anëtare do të rikthehen sërish mbi çështjen.

Opozita pretendon se mosmiratimi i IBAR lidhet edhe me zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas saj, vendimi i mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku ka ndikuar negativisht në perceptimin e vendeve anëtare të BE-së për luftën kundër korrupsionit dhe standardet e sundimit të ligjit në Shqipëri.