Një grua franceze e infektuar nga shpërthimi vdekjeprurës i hantavirusit në një anije turistike ndodhet në gjendje kritike dhe po trajtohet me mushkëri artificiale, tha të martën një mjek në spitalin e Parisit ku ajo po kurohet.
Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të datës 12 maj, janë regjistruar 11 raste, nëntë prej tyre të konfirmuara, si dhe tre viktima, të gjitha mes pasagjerëve ose ekuipazhit të anijes turistike.
OBSH-ja tha se pret të ketë më shumë raste për shkak të mënyrës së përhapjes në një anije dhe periudhës së inkubacionit të virusit, por paralajmëron se “për momentin nuk ka shenja se po shohim fillimin e një shpërthimi më të madh”.
Agjencia gjithashtu thekson se transmetimi nga njeriu te njeriu duket më i mundshëm gjatë fazës së hershme të sëmundjes, kur virusi është më i transmetueshëm.
Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit po monitorohen në vendet e tyre, ku OBSH-ja rekomandon një karantinë 42-ditore në shtëpi ose në një qendër të posaçme, duke filluar nga dita e largimit nga anija.
Si janë pasagjerët e infektuar?
Pasagjerja franceze e shtruar në Paris ka një formë të rëndë të sëmundjes, e cila ka shkaktuar probleme kërcënuese për jetën në mushkëri dhe zemër, tha Dr. Xavier Lescure, specialist i sëmundjeve infektive në Spitalin Bichat.
Ai tha se gruaja është e lidhur me një pajisje mbështetëse jetike që pompon gjakun përmes një mushkërie artificiale, duke e oksigjenuar atë dhe duke e rikthyer më pas në trup.
Shpresa është që kjo pajisje të ulë mjaftueshëm presionin mbi mushkëritë dhe zemrën, duke u dhënë kohë të rikuperohen. Lescure e quajti këtë “faza përfundimtare e kujdesit mbështetës”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se situata lidhur me hantavirusin ishte “nën kontroll” në Francë dhe bëri thirrje për një koordinim të fortë evropian për të frenuar virusin.
“Qeveria ka marrë vendimet e duhura. Situata është nën kontroll falë autoritetit të saj dhe punës së personelit shëndetësor,” tha Macron gjatë një konference për shtyp në Nairobi, në përfundim të samitit Africa Forward.
Një pasagjer spanjoll i karantinuar në Spitalin Qendror Ushtarak Gómez Ulla në Madrid rezultoi gjithashtu pozitiv të martën.
Pacienti kishte temperaturë të lehtë dhe simptoma të buta respiratore. “Aktualisht është në gjendje të qëndrueshme dhe pa përkeqësim të dukshëm klinik,” shkroi Ministria Spanjolle e Shëndetësisë në një postim në X.
Pasagjerët në karantinë
Të gjithë pasagjerët tashmë janë transferuar në vendet e tyre të origjinës, në një operacion të cilësuar si “sukses” nga kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Të gjitha rastet e dyshuara dhe të konfirmuara janë izoluar dhe trajtuar nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore, duke minimizuar rrezikun e transmetimit të mëtejshëm,” tha Tedros.
Rekomandimet e OBSH-së përfshijnë mbikëqyrje të rreptë në shtëpi ose në një qendër karantine për 42 ditë, duke filluar nga 10 maji.