PARADOKSI/ Bashkim Ulaj për herë të parë në GJKKO për deputetët që mbrojnë banorët e Rrjollit, jo për “nderin e jetës” Thumanë – Kashar

Për herë të parë, sot biznesmeni Bashkim Ulaj është paraqitur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).

Por, kur pritej që Ulaj të paraqitej në SPAK për disa nga aferat më të mëdha në vend, për të cilat po hetohet ish-ministrja Belinda Balluku, arsyeja e thirrjes së tij në Gjykatë është tjetër.

Paraqitja e tij në GJKKO lidhet me një kallëzim për shpifje ndaj dy deputetëve të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët kanë qenë të vetmit që kanë ngritur publikisht zërin në mbështetje të banorëve të Rrjoll.

Banorët prej muajsh kanë protestuar kundër zhvillimeve në zonë, duke ngritur pretendime për të drejtat e pronës dhe mënyrën se si po zhvillohet projekti. Në disa raste, përplasjet mes banorëve dhe forcave të rendit kanë përfunduar edhe me shoqërime apo arrestime.

Nga “nderi i jetës” Thumanë – Kashar, te ushtari i qeverisë, kush është Bashkim Ulaj

Emri i Bashkim Ulajt është përmendur në disa prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend, përfshirë Thumanë-Kashar dhe Unazën e Madhe të Tiranës, të cilat janë shoqëruar me denoncime të shumta dhe hetime nga SPAK për procedurat dhe kostot e ndërtimit.

Ai del edhe në përgjimet e Belinda Balluku me ish-vartësin e saj, Evis Berberin. Në këto përgjime, Balluku thotë se me “Thumanë – Kashar” po i bën “nderin e jetës” Bashkim Ulajt, dhe mund të bëhet “ushtar” i qeverisë, pasi është shumë i izoluar dhe i pashpresë.

KOMUNIKIMET

Belinda Balluku: “Une po i bej nderin e jetes me Thumane-Kashar, ndaj ai do behet cope. Do flasim pak, mund te behet shume ushtar. Eshte shume i izoluar dhe i pashprese, ndaj Agollin nuk e shiti kurre dhe e beri mbret”.

Evis Berberi: Te vij sot te diskutojme pak dhe per neser ne ora 9. S’ka se si ta shese kane punuar gjate.

Aksi Thumanë – Kashar i është dhënë kompanisë “Gener 2” me koncesion për 35 vite, teksa gjatë kësaj kohe parashikohet që kompania e Bashkim Ulajt të fitojë më shumë se 1.3 miliardë euro, edhe pse gjatësia e aksit është vetëm 20 kilometër.

Qytetarët paguajnë 2.5 euro për automjet për të kaluar, ndërkohë që sipas denoncimeve të publikuara në media, rruga nuk i përmbush parametrat, pasi ka çarje dhe shembje në disa pjesë të saj.

Ndërkohë, në Kuvend është kërkuar disa herë interpelancë fillimisht me ish-ministren Balluku dhe më pas me ministrin Enea Karakaçi për këtë aferë, por Elisa Spiropali dhe Niko Peleshin kanë ngurruar ta fusin në rendin e ditës, për të mbrojtur biznesmenin që siç thoshte Balluku, e kanë “ushtar” të qeverisë së tyre.

Por Bashkim Ulaj dhe kompania e tij janë të përfshirë edhe në një tjetër aferë që po hetohet nga SPAK, atë të Unazës së Madhe të Tiranës. “Gener 2” e tij është një nga kompanitë kontraktore në segmente të caktuara të projektit.

Sipas SPAK, fituesit e projektit janë paracaktuar dhe kostot janë fryrë, ndaj edhe dëmi që i është shkaktuar shtetit llogaritet në qindra milionë euro.

Por, në vend që paraqitja e Bashkim Ulajt në GJKKO të lidhet me hetime mbi projektet infrastrukturore (aferat) ku ai është përfshirë, lidhet me një konflikt deklaratash politike.

Ky mbetet paradoksi më i madh: ndërsa miliona euro të qytetarëve janë përfshirë në projekte që po hetohen për favorizime, fryrje kostosh dhe shkelje procedurash, biznesmeni Bashkim Ulaj nuk paraqitet në GJKKO për t’u pyetur mbi këto afera.

Ai shfaqet në dyert e drejtësisë për të paditur deputetët që kanë dalë publikisht në mbështetje të banorëve. Në një vend normal, drejtësia do të kishte prioritet kontratat dhe koncesionet që rëndojnë mbi taksapaguesit, në Shqipëri, në bankën e të akuzuarve përfundojnë shpesh ata që ngrenë zërin.