E-Albania i bën karshillëk “inteligjencës artificiale”… nuk punon fare

Teksa qeveria po synon që gjithçka ta kalojë online dhe të transformojë edhe prokurimet publike, duke kaluar në një sistem të ri që do të mundësojë prokurime nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, sistemet aktuale janë pothuajse jashtë funksioni.

Që gjatë ditës së djeshme shumë qytetarë janë ankuar se ata nuk mund të aksesojnë E-Albania për të shkarkuar dokumente të thjeshta si një certifikatë personale apo familjare.

Kjo më pas nuk u mundëson atyre të bëjnë aplikime të tjera, si kërkesa për rimbursimin e shpenzimeve për fëmijën përmes DIVA, apo dhe shumë funksione të tjera për të cilat është e nevojshme një certifikatë.

Teksa E-Albania në pjesën më të madhe nuk hapet fare, siç tregohet dhe në foto, nuk mund të aplikojnë për shërbime nga kadastra, kartën e shëndetit, verifikimin e pagimit të sigurimeve nga punëdhënësi etj.

Edhe subjektet ankohen se sistemi self-care me zor punon, ose del jashtë funksioni. Vetëm pak ditë më parë subjektet u përballën me mosfunksionim e platformës “SelfCare”, të cilët bizneset e përdorin për rakordimet e faturave, fiskalizimin e faturave të importit, lëshimin e faturave (për të vetëpunësuarit). Bizneset duhet të bëjnë roje dite e nate, pasi sistemi herë punon e herë jo. Probleme ka dhe me kryerjen e pageseve online për certifikatë fiskale, raportojnë përdoruesit.

Problematika me shërbimet online vijon të përsëritet pavarësisht fondeve të mëdha që ka marrë platforma e qeverisjes elektronike vitet e fundit.

Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.

Ndërkohë SPAK ka nisur hetimet vitin e kaluar për abuzime me fondet e Agjencisë Kombëtarë të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon platformën E-Albania. Monitor