Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku e informon se kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari rezulton se ka qenë i dënuar në Greqi.
SPAK nënvizon në shkresë se Hajdari, është dënuar me vendim të formës së prerë, me 6 muaj burg për falsifikim.
Prokuroria e Posaçme sqaron se vendimi ka marrë formë të prerë në korrik të 2024-ës.
Kujtojmë se Hajdari është dënuar në vitin 1999 nga Gjykata e Janinës për hyrje të paligjshme në territorin grek, në një kohë kur ishte 17 vjeç. Në atë rast, ndaj tij ishte vendosur masë riedukimi, por ky dënim nuk ishte deklaruar në formularët përkatës.
Njoftimi:
I nderuar z.Celibashi,
Në përgjigje të shkresës suaj nr. 980 Prot prot, datë 27.04.2026, ardhur dhe protokolluar me datë 29.04.2026, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje shtetasin Kreshnik Riza Hajdari, ju informojmë se: Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal me Nr.80, datë 03.05.2023, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal, në ngarkim të shtetasit Kreshnik Riza Hajdari.
Pas përfundimit të hetimeve në lidhje me procedimin penal Nr.80, viti 2023, është vendosur dërgimi në gjyq, me kërkesë për gjykim më datë 18.12.2023, në ngarkim të të pandehurit Kreshnik Hajdari, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal.
Me vendimin Nr.06, datë 25.01.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur :
Deklarimin fajtor të të pandehurit Kreshnik Hajdari për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/2, të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 (nëntë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kreshnik Hajdari i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 01 shkurt 2024 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06, datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili ka marrë formë të prerë, po në këtë gjykatë me datë 05.07.2024.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,
DREJTUESI I PROKURORISË
Klodjan Braho