Ministri i Mjedisit justifikon punimet në Zvërnec dhe akuzon aktivistët për “dashakeqësi”

Edhe pse kamerat e aktivistëve të mjedisit kanë filmuar prej javësh makineri të rënda, buldozerë që sheshojnë vendin dhe kamionë me çakull që shkarkohen brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro – Nartë, ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj u tha gazetarëve të enjten në një konferencë për shtyp se bëhej fjalë vetëm për rrethim të një prone private për studime gjeologjike.

Ministri i Mjedisit po ashtu pretendoi se kompania që po kryente punimet kishte leje nga KKT për këto ndërhyrje dhe se në zonë nuk “është prerë asnjë pemë”.

Ministri këmbënguli, pavarësisht pretendimit të organizatave të mjedisit për rëndësinë e ekosistemit ku po punohet, se zona në fjalë nuk kishte një kategori të lartë mbrojtje, por vetëm kategoria e 5 dhe akuzoi për dezinformim aktivistët që e lidhin këtë zonë me deltën e Vjosës që është në kategorinë e dytë dhe ka mbrojtje më strikte.

“Krijohet një lloj konfuzioni, ndoshta edhe dashakeq, që e lidh zonën e Pishë Poro – Nartës edhe me zonën e mbrojtur të lumit Vjosa. Duhet bërë një ndryshim këtu, lumi Vjosa është park kombëtar, kategoria dy, ndërkohë Pishë Poro – Nartë është peizazh i mbrojtur, kategoria 5, ku kategoria pesë është në fakt kategoria më e ulët e mbrojtjes së zonave të mbrojtura, ku një pjesë e investimeve janë të lejuara nga legjislacioni”, tha Jaupaj.

Sipas tij në këtë zonë këto punimet lejohen pa një studim të ndikimit në mjedis.

Deklarata e Jaupaj u bë disa ditë pasi kompania me pronësi të panjohur ‘offshore’ e quajtur “Zvërnec South Adriatic Development”, filloi punimet për kompleksin turistik luksoz në zonën e Zvërnecit, që u pasua me reagime të ashpra të organizatave të mjedisit që akuzuan se “Peizazhi i Mbrojtur po asgjësohej”.

Përndryshe nga sa pretendoi Jaupaj në konferencë për shtyp, autoritetet e kontrollit përfshi Administratën e Zonave të Mbrojtura në varësi të tij, mohojnë të jenë njohur me leje për ndërhyrjen. AdZM ka marrë nga kompania vetëm një shkresë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në të cilën i bëhet me dije se është miratuar një leje për punime në kantier, por se kjo e fundit nuk ishte firmosur pasi procesi i shqyrtimit dhe kushtet nuk ishin plotësuar.

“Pas këtij momenti, vendimi si dhe materiali bashkëlidhur do të siglohen nga autoritetet përkatëse pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe të plotësimit të kushteve të këtij vendimi”, thuhet në korrespondencën e cila është dërguar vetëm 1 ditë para se drejtuesi i organizatës AOS Taulant Bino të filmonte ndërhyrjet me makineri të rënda në zonë.

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila zotërohet përmes disa kompanish guackë nga kompania offshore “Dutch Trust Management BV”, e cila rezulton sipas dokumenteve në QKB e regjistruar në emër të 5 aksionerëve anonimë me shtetësi shqiptare. Emrat e aksionerëve përfitues nuk bëhen publike pasi ata zotërojnë më pak se 25% të aksioneve, 4 kanë nga 24% të aksioneve të kompanisë dhe një i pestë zotëron 4% të aksioneve të mbetura.

Kompania në fjalë ka marrë dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv në Zvërnec në janar dhe prill të vitit 2025 nga Këshilli Kombëtar i Territorit i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, por lejet nuk janë zbardhur ende. AZHT nuk iu është përgjigjur kërkesave për informacion në lidhje me këto leje dhe dokumentet për zhvillime të kësaj natyre si Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk janë bërë publike.

Lejet zhvillimore lidhen me projektin e prezantuar nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner pranverën e vitit 2024.

Dy organizatat mjedisore, AOS dhe PPNEA denoncuan punimet në zonën e mbrojtur duke i krahasuar ato me “një masakër”.

“Më shumë se 3 kilometra vijë bregdetare e zonës së mbrojtur, e përbërë nga pisha, kodra dhe duna unike po përdhoset nga mjetet e rënda që po ndërhyjnë dhunshëm në ekosistem. Në më pak se një javë, makineritë po tjetërsojnë habitatet më të egra të peizazhit duke hapur rrugë të reja aksesi dhe sheshe ndërtimi”, shkroi PPNEA në një deklaratë publike të enjten.

Deklarata shoqërohet me foto të makinerive të rënda në zonë që tregojnë se nuk bëhet fjalë për rrethim prone, por shtrim me zhavorr brenda peizazhit të mbrojtur dhe ndërhyrje me makineri të rënda aty. BIRN