Aksidenti tragjik ku humbën jetën 2 fëmijë, qytetarët e Durrësit në protestë: Duam drejtësi

Një protestë është zhvilluar sot në Durrës, pas aksidentit tragjik pak ditë më parë ku humbën jetën dy fëmijë të moshës 10 dhe 12 vjeç, pasi u përplasën nga mjeti i drejtuar nga Nikoll Radaçi. Po ashtu i plagosur mbeti edhe një 8 vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Familjarë të të miturve dhe qytetarë e kanë nisur marshimin e tyre nga  stadiumi Niko Dovana, drejt Drejtorisë së Policisë dhe më pas para bashkisë së qytetit.

Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e të dielës, ku dy të mitur humbën jetën teksa po luanin me top në tortuar para banesës së tyre, ndërsa një i tretë mbeti i plagosur rëndë.

Ata u përplasën me makinë nga Nikoll Radaçi, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi tej normave të lejuara.

Sipas banorëve, Radaçi ka qenë problematik dhe është denoncuar edhe herë të tjera për drejtimin e mjetit tej normave të shpejtësisë, por ndaj tij nuk ishin marrë masa të forta.