I vetëm në garën për kreun e PD, Berisha sulmon Salianjin: Nuk mund të kandidojë ai që bashkëpunon me krimin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sot në lidhje me zgjedhjet për kreun e kësaj force politike, ku ai është kandidati i vetëm.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët, ai tha se nuk mund të garojnë për kryetar partie ata që e kanë tradhtuar partinë dhe kanë bashkëpunuar me kundërshtarët politik.

Sa i takon ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, Berisha hodhi akuza duke thënë se ai merr udhëzime nga krimi.

“Nuk mund të kandidojë ai që bashkëpunon me krimin, që merr udhëzimenga Bistri dhe Agasi, që ne e bënim hero në burg kurse ai shtronte dreka dhe darka me Gjokën dhe Bistrin”- tha Berisha.

“Vetëm se kërkoi të mos bini viktimë e propagandës të atyre që nga 2009 kanë zhdukur votën e lirë në parti, kanë mobilizuar këtë kohë mafien e kokainës kundër PD. PD është nga ato të pakta, parti që në Europë dhe në botë që kryetarin e zgjedh me votën e anëtarësisë. Kjo parti, në garë pranohen dhe do pranohen çdo demokrat dhe demokrate që plotëson kriteret e përcaktuara në rregullore. Kjo është gara më e rëndësishme e partisë dhe duhet të përfaqësojë anëtarësinë e partisë. A mund të imagjinosh që në garë të marrin pjesë kandidatë të Ramës? Apo kandidatë që në fushatë elektorale punuan hapur kundër PD, apo që në fushatë elektorale ndërruan parti. Këta në çdo parti me ndërgjegje politike këta vetëm përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë tyre në moment beteje. Është jashtë çdo lloj logjike që këta të mund të imagjinohen se mund të kandidojnë, këtë nuk e lejon asnjë parti në botë. Nëse nuk plotëson kriteret, nuk mund të kandidosh nëse s’ke kontribut të njohur nga partia. Çdo njeri me kontribute që plotëson kriteret është i mirëpritur dhe nuk është refuzuar kurrë. Nuk mund të kandidojë ai që bashkëpunon me krimin që merr udhëzimi nga Bistri dhe Agasi, që ne e bënim hero në burg kurse ai shtronte dreka dhe darka me Gjokën dhe Bistrin. Kjo kryesi është e detyruar të mbrojë interesat e demokratëve nga ata që i shkelmojnë për llogari të kundërshtarëve tanë”- tha Berisha.