Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri, ndërsa pritet që kreu aktual, Sali Berisha të jetë i vetmi në garë.
PD përmes një udhëzimi që është publikuar sot në media, u ndalon personave që janë të dënuar me vendim të formës së prerë që të bëhen pjesë e kësaj gare.
Udhëzimi i hartuar nga Partia Demokratike për rregullat e zgjedhjeve për kryetarin, mban datën 18 mars, ndërsa është mbajtur sekret nga selia blu.

Sipas këtij udhëzimi, ish-deputetit Ervin Salianji, i ndalohet kandidimi në garën për të marrë drejtimin e PD-së për shkak të dënimit me 1 vit burg sa i takon çështjes “Babale”.
Megjithatë Report Tv ka mësuar se Salianji do të dorëzojë nesër në selinë e PD dokumentet e kandidimit, por nuk dihet nëse do të pranohen.
Prej kohësh ka pasur një përplasje mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit, me këtë të fundit që ka zhvilluar disa Foltore me demokratët në të gjithë vendin, një lëvizje që nuk i pëlqeu aspak kryedemokratit.
Sipas Berishës, ish-deputeti ka kaluar vijën e kuqe dhe se është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike pa pasur nevojën e një vendimi.