Autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit po rishikojnë masat e sigurisë pasi një person i armatosur hapi zjarr pranë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke ngritur pikëpyetje se si arriti të afrohej kaq shumë me një aktivitet ku merrnin pjesë presidenti Donald Trump, anëtarë të kabinetit dhe ligjvënës.
Dy ish-agjentë të Shërbimit Sekret dhe tre zyrtarë të lartë amerikanë thanë për Reuters se agjentët federalë duket se zbatuan në mënyrë efektive planin për mbrojtjen e presidentit të shtunën në mbrëmje, duke neutralizuar të dyshuarin përpara se ai të arrinte në nivelin e bodrumit të hotelit “Washington Hilton”, ku Trump pritej të mbante fjalim.
Megjithatë, fakti që disa të pranishëm dëgjuan të shtënat, të cilat goditën një agjent të Shërbimit Sekret, nxori në pah dobësi në siguri. Kjo ndodh edhe pse më herët ishin shtuar masat mbrojtëse pas dy tentativave për atentat ndaj Trump gjatë fushatës së vitit 2024.
Sipas ish-zyrtarëve të sigurisë, një nga mësimet kryesore nga incidenti është nevoja për të zgjeruar perimetrin e sigurisë rreth presidentit në evente të mëdha publike, edhe nëse kjo sjell shqetësime për publikun.
Disa zyrtarë theksuan se në tubimet e Trump, perimetri i sigurisë është shpesh më i gjerë sesa ai i vendosur gjatë kësaj darke.
Në aktivitetin e së shtunës, të ftuarit duhej të kalonin në detektorë metali për të hyrë në sallën kryesore, por për të hyrë në hotel mjaftonte një biletë. Madje, disa persona tentuan të hynin me bileta të vitit të kaluar.
Sipas zyrtarëve, i dyshuari nga Kalifornia, i armatosur me disa armë, mundi të shmangte kontrollet duke u regjistruar në hotel disa ditë para eventit.
Bill Gage, ish-anëtar i ekipit të kundërsulmit të Shërbimit Sekret, tha se analizat pas incidentit pritet të fokusohen në zhvendosjen më larg të detektorëve të metaleve, për të zgjeruar perimetrin e jashtëm.
Sipas tij, autoritetet duhet të gjejnë mënyra për të siguruar më mirë hotelet e mëdha, edhe nëse kjo krijon vështirësi për klientët dhe vetë biznesin.
Ai shtoi gjithashtu se duhet përmirësuar koordinimi gjatë evakuimit të zyrtarëve të administratës. Pas të shtënave, disa agjenci ligjzbatuese evakuuan të pranishmit, duke treguar mungesë koordinimi mes strukturave që mbrojnë figura të ndryshme të rëndësishme.
Sipas analizës së Reuters, Trump u largua nga skena rreth 30 sekonda pas të shtënave të fundit, ndërsa zyrtarëve të tjerë të lartë iu deshën deri në 150 sekonda për të dalë nga salla.
Eksperti i sigurisë Don Mihalek tha se sigurimi i një kompleksi të madh si “Washington Hilton” ka qenë gjithmonë sfidë dhe pritet që pas këtij incidenti të rishikohen masat dhe të zgjerohet perimetri.
Vetë Trump deklaroi se hoteli nuk është “një ndërtesë veçanërisht e sigurt”.
Incidenti rikthen në vëmendje edhe një tjetër kritikë ndaj sigurisë, pas atentatit të parë ndaj Trump në korrik 2024 në Pensilvani, kur mungesa e një perimetri efektiv lejoi një sulmues të kishte fushëpamje të qartë ndaj kandidatit.
Ndërkohë, edhe vetë i dyshuari kishte kritikuar nivelin e sigurisë në një manifest të publikuar, duke e cilësuar atë shumë të dobët.
Pas ngjarjes, disa figura konservatore kërkuan ndërtimin e një salle të re eventesh brenda kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, megjithëse projekti aktualisht është pezulluar nga një gjykatë federale.
Zyrtarët amerikanë pritet të zhvillojnë një analizë të plotë të masave të sigurisë për presidentin dhe kabinetin, me mundësi për ndryshime të reja në të ardhmen.