Një grup piratësh ka rrëmbyer një tanker nafte me 17 anëtarë ekuipazhi, i cili po lundronte pranë brigjeve të Somalisë, sipas disa zyrtarëve të sigurisë që folën për BBC-në.
Anija, e identifikuar si Honour 25, u mor nën kontroll nga gjashtë persona të armatosur, teksa ndodhej rreth 30 milje detare larg bregut.
Pirateria në këtë zonë të Oqeanit Indian, dikur e njohur për rrëmbime të shpeshta, kishte pothuajse zhdukur tre vite më parë, por së fundmi është rikthyer, duke vënë në shënjestër anije peshkimi dhe kontejnerësh.
Rrëmbimi i një tankeri që ishte nisur drejt kryeqytetit somalez, Mogadishu, pritet të rrisë shqetësimet në qytet, ku çmimet e karburantit tashmë janë trefishuar që nga fillimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Sipas zyrtarëve të sigurisë nga rajoni gjysmë-autonom i Puntlandit, anija transportonte rreth 18,500 fuçi naftë.
Honour 25 ishte nisur nga porti i Berberës, në Somaliland, më 20 shkurt dhe kishte mbërritur pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe pak pasi kishte nisur konflikti, sipas të dhënave të faqes ShipAtlas.
Të dhënat e lundrimit tregojnë se anija kishte qëndruar për një kohë në ujërat pranë hyrjes së Ngushticës së Hormuzit, përpara se të kthehej më 2 prill drejt Mogadishut.
Nën kontrollin e piratëve, anija me ekuipazh prej 17 personash, 10 pakistanezë, katër indonezianë, një indian, një nga Sri Lanka dhe një nga Mianmari, është ankoruar pranë brigjeve somaleze, mes qyteteve peshkatare Xaafun dhe Bander Beyla.
Burime bëjnë të ditur se pesë persona të tjerë të armatosur janë ngjitur më pas në bord të anijes.
Zyrtarët besojnë se piratët janë nisur nga një zonë e izoluar pranë Bander Beyla, ndërsa mbetet ende e paqartë se si ata arritën të ndalonin dhe merrnin nën kontroll tankerin.
Deri më tani, as autoritetet somaleze dhe as Forca Detare Evropiane, e cila mbikëqyr operacionet kundër piraterisë në ujërat e Somalisë, nuk kanë reaguar zyrtarisht për ngjarjen.